Shkolla profesionale bujqësore “Ndre Mjeda”, në Bushat të bashkisë “Vau Dejës”, është krijuar disa vite më parë si bashkim i dy shkollave të njohura profesionale të Shkodrës, shkollës veterinare dhe asaj mekanike-bujqësore.
Shkolla ndodhet në mes të dy zonave të rëndësishme bujqësore, asaj të Zadrimës dhe Nënshkodrës, çka, sipas drejtorit Zyhdi Kapedani, është një mundësi e mirë për teknikët e ardhshëm të bujqësisë.
“Është e vetmja shkollë bujqësore në rajonin e veriut ku studiohet në katër vite në drejtimet e bujqësisë, teknologjisë ushqimore dhe veterinarisë. Kjo shkollë është ndërtu në vitin 2012 me bashkëpunimin e qeverisë shqiptare me Bashkimin Europian dhe këtu vijnë dhe studiojnë nxënës nga pjesa veriore e Shqipërisë”, thotë ai.
Megjithë kushtet bashkëkohore, thotë drejtori Ruzhdi Kapedani, shkolla ka nevojë që të mbështetet më shumë me laboratorë dhe me një bazë më të gjërë të praktikave mësimore.
Sektori i bujqësisë po përballet vitet e fundit me mungesën e fuqisë punëtorë për shkak të nivelit të lartë të emigrimit të të rinjve.
Kjo, sipas drejtor Kapedanit, ka ndikuar edhe në numrin e ulët të nxënësve në shkollat profesionale bujqësore, ku kapacitetet janë më shumë se dyfishi i nxënësve që ndjekin këto shkolla.
“Kjo shkollë ka rreth 120 nxënës. Kemi pasur edhe më shumë, por këtë vit këtë numër kemi. Kapacitetet e kësaj shkolle janë shumë të mëdha pasi mund të përballojë deri në 350 nxënës. Këtu pranë kemi edhe konviktin që i shërben shkollës që mund të përballojë deri në 150 nxënës”, thotë ai.
Situata është thuajse e njëjtë në të gjithë shkollat e mesme bujqësore në Shqipëri. Kështu, në shkollën bujqësore të Cërrikut, një nga më të mirat në vend, sivjet u regjistruan 123 nxënës, ndërkohë që kapaciteti i shkollës është për 350 nxënës.
Profesori i Universitetit Bujqësor në Tiranë, Zef Gjeta, thotë se edhe 30 vite pas ndryshimit të sistemit, peshën më të madhe në sektorin e bujqësisë vazhdojnë ta mbajnë specialistët e vjetër, kjo për shkak të mungesës së interesit të të rinjve për të punuar në bujqësi.
“E kemi humbur davanë me specialistët e mesëm, sidomos në bujqësi. Ne kemi aktualisht 9 shkolla bujqësore me 700 nxënës në total. Pra, më pak se 100 nxënës në katër vite. Kështu që numri është shumë i kufizuar gjë që nuk premton. Natyrisht, iniciativa e qeverisë për të mbështetë shkollat profesionale, përfshi edhe këto bujqësore, ndihmon në këtë drejtim, por duhet një zgjim i ndërgjegjes kombëtare për t’i dalur zot bujqësisë”.
Profesor Gjeta thotë se gjatë 30 viteve bujqësia ka marrë më pak se 1% të buxhetit të shtetit, ndërkohë që ka kontribuar nga 20 deri në 56 përqind në të ardhurat kombëtare. Kjo shpjegon edhe mungesën e përfshirjes së të rinjve në sektorin e bujqësisë gjë që, sipas tij, ka krijuar një hendek, i cili po bëhet gjithnjë e më i dukshëm me daljen në pension të specialitëve të vjetër./ VOA