“Burgu nuk i urohet as hasmit”, Salianji flet pas lirimit: Dënim politik për të më shmangur nga beteja zgjedhore

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur për mediat pas lirimit nga burgu i Fierit, ku vuante një dënim me 1 vit heqje lirie për kallëzim të rremë në çështjen “Babale”.

Salianji, i cili qëndroi pas hekurave prej tetorit 2024, deklaroi për mediat se burgosja e tij ka qenë një hakmarrje politike për ta shmangur nga gara zgjedhore.

“Më shumë se 9 muaj burg këtu në Fier për arsye politike, i dënuar për shkak se kam denoncuar dhe kam çuar para drejtësisë një trafikant ndërkombëtar droge. Siç e shihni, është edhe një vetëdemaskim edhe nxjerrja në këtë periudhë. Është dënim për të më shmangur nga beteja zgjedhore, është dënim për shkak të fitores që kam pasur në raport me PS-në”, tha Salianji.

Sipas tij, koha e kaluar në burg është një mesazh për të gjithë demokratët që, siç u shpreh ai, duhet të frymëzohen për të vazhduar betejën kundër regjimit të instaluar në vend.

“Çdo ditë e imja në burg është një denoncim ndaj regjimit që është instaluar në Shqipëri. Besoj që është një burim frymëzimi për mijëra demokratë,” tha ish-deputeti.

Salianji premtoi të vijojë betejën politike dhe ligjore, duke paralajmëruar se çështjen do ta çojë në Gjykatën e Strasburgut. Ai theksoi se burgimi i tij është dëshmi e një sistemi të kalbur që i frikësohet opozitës.

“Çështjen do ta dërgoj deri në Strasburg, do kërkoj të drejtën time. Burgu nuk i urohet as hasmit. E ndjej sot në lëkurë padrejtësinë që ndjejnë qytetarët nga ky regjim. Nuk kam bërë burg për krim ordiner e as për vjedhje, por për arsye politike”, tha Salianji.

Lajme të tjera |  Salianji sërish në politikë! Pas lirimit nga qelia, Berisha tregon rolin e ish-deputetit në PD

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us