Policia e Zelandës së Re është në kërkim të një burri misterioz, i cili iu afrua një pensionisti, i dha atij 4,000 £ ose 5,000 dollarë para cash në dorë dhe u largua. 78-vjeçari tha se i është afruar burri, i cili e ka kërkuar me emër dhe i ka dorëzuar një zarf me para. Pasi pensionisti kërkoi një shpjegim, njeriu misterioz u përgjigj se ishte një dërgues. “Unë jam thjesht një dërgues”, kishte thënë burri.
Incidenti i çuditshëm ndodhi më 20 dhjetor të vitit të kaluar dhe policia ende nuk e ka zbuluar identitetin e burrit, pasi interesi publik vazhdon të rritet. Vetëm disa ditë para se t’i dorëzonte paratë e gatshme pensionistit, i njëjti burrë e kërkoi në banesë, por vajza e tij i tha se babai i saj nuk ishte në shtëpi. Burri në fjalë ishte i veshur me këpucë të zeza, pantallona të shkurtra dhe kapelë pas kokës, me flokë dhe mjekër të zezë. Pas frikës se mos ndoshta burri misterioz është ndonjë bandit, pensionisti dhe gruaja e tij kanë shkuar të jetojnë në një hotel, për të qëndruar për disa kohë.
Pensionisti tha se ai kishte jetuar në një shtëpi që nuk ishte e regjistruar as në emrin e tij dhe as të gruas së tij, kështu që ai nuk është i sigurt sesi burri e mori vesh se jetonte atje. Por, pensionisti thuhet se kishte punuar vetëm në punë zyre dhe kishte pasur kontakte me një numër biznesesh gjatë gjithë karrierës së tij, teksa mbetet e panjohur se përse i janë dërguar para.

Pensionisti i tha New Zealand Herald se është i habitur se nga e dinte burri misterioz se ku jetonte. “Nga e di ai se ku jetoj? Nga e di se ku ndodhem? Nuk di dikë që të më ketë para borxh në jetën time. Kam ndihmuar në të kaluarën, kjo është e vërtetë, por para borxh dikush nuk më ka”, ka thënë pensionisti.
Hetuesi privat Danny Toresen i tha NZ Herald se ai kurrë nuk kishte dëgjuar për një ngjarje të ngjashme, të një dërgese të papritur dhe të papërgjegjshme të parave cash./Metro -ZËRI/