Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për kapjen e mazhorancës dhe opozitës nga oligakët. Bushati tha se të dyja partitë, PS dhe PD janë parti oligarkike, por ajo që ka ndryshuar tani është fakti që Rama i ka marrë të gjitha.
“Ne dy partitë e mëdha i kemi parti oligarkike. Këta të fundit pak më shumë, por gjithmonë me të njëjtin model kanë qeverisur dhe me të njëjtët njerëz. Është ajo e Ramës që i thoshte Bashës ‘po Çeti, po Zamiri, po Bashkimi”. Problemi është, kush është ndryshimi i 12 viteve të fundit? Rama, edhe kur ishte në opozitë, kishte oligarkët e vet, pra çfarë ishin këta Koço, Fideli, ndërtuesit e kullave, ishin financuesit e PS. Rama kur ishte në opozitë kishte mediat e veta të kontrolluara nga oligarkë. Çfarë përmbysje solli kur erdhi në pushtet? I rrëmbeu të gjithë. Nga një sistem oligarkik ku pushtetet ishin të ndara barabar, Rama i mori të gjithë. Kaluam nga një oligarki plurale, në oligarki autarkike. Prandaj sot jam kundër fabulës është edhe opozita oligarkike. Por opozita nuk ka më brekë nëpër këmbë”, tha Bushati.