Kryeministri Edi Rama e quajti tepër serioz projektin për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit, ku është i përfshirë edhe dhëndri i Presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner.
“Ajo ide ka avancuar, dhe do të avancojë deri në fund, sepse nuk ka lidhje me Donald Trump-in. Dhe përsëri, edhe sot që ai është president i SHBA, ai projekt nuk ka lidhje me Donald Trumpin. Nuk është bërë pse Donald Trump ishte kandidat për president, sepse ka filluar kur nuk e llogariste njeri si fitues të mundshëm dhe madje shumica mendonin që do shkonte dhe në burg dhe nuk do të vazhdojë pse ai është president sot. Ai është një projekt tanimë shumë serioz dhe do të vazhdojë. Ka marrë edhe një miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit si fillim, do të vijë për një miratim të dytë, sipas ligjit, dhe do të vazhdojë”, tha Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Çfarë do të ndërtohet në Sazan
Në janar të këtij viti, komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama ka miratuar statusin e investitorit strategjik për projektin 1.4 miliardë euro të Kushner për ndërtimin e resorteve luksoze në ishullin e vetëm të Shqipërisë.
Në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike, citohet se “projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike”. Më tej theksohet se resortet turistike do të ndërtohen në një sipërfaqe 45 hektarë tokë, si dhe parashikohet përmirësimi dhe riparimi marinës aktuale në Sazan, shkruan A2 CNN.
Duke qenë se ishulli i Sazanit është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pjesë e planit të përhapjes së ushtrisë, vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike është paraprirë nga një dekret i Presidentit që e ka nxjerr nga plani i përhapjes së FA këtë zonë.
Kushner nuk do të jetë i vetëm në këtë investim, pasi në vendim sqarohet se edhe shteti shqiptar do të jetë bashkëpjesëmarrjes në investim./A2CNN