Votimi i Kuvendit që pritet ti japë autorizimin SPAK për arrestimin e Sali Berishës, dhe protesta e thirrur në mbështetje të tij, kanë vënë në lëvizje dhe policinë e shtetit, e cila ka ndërmarrë një plan masash për të shmangur incidentet e dhunshme.
Rreth 800 efektivë policie do të jenë të angazhuar në terren gjatë paradites së kësaj të enjteje, kryesisht pranë godinës së Kuvendit, kun ë 10:00 pritet të nisë dhe seanca plenare.
Votimi për Berishën është pika e parë e rendit të ditës të kësaj séance, ndërkohë që vetë kryedemokrati pritet që të jetë i pranishëm në sallë, dhe me qytetarët. Edhe pse kishte deklaruar se do të njihte çdo vendim të Kuvendit, Berisha deri tani nuk e ka deklaruar qëndrimin që do të mbajë në seancë.
Kështu që sot mbetet në lojë çdo skenar, qoftë ai i pamjeve të zjarrit dhe flakadanëve në Kuvend, që i kemi parë në seancat e kaluara, qoftë ai i një proteste më të dhunshme se ajo që u mbajt të hënën përpara godinës së Kryesisë.
Motoja e protestës së Berishës është: O sot, o kurrë! Kështu që mbetet të shohim surprizat që kanë rezervuar demokratët e mbledhur rreth Berishës. Nga ana tjetër PS prej kohësh e ka bërë të qartë se do të votojë pro arrestimit të Berishës, vendim i cili merret me shumicë të thjeshtë, 71 vota.
Vendimi i sotëm në Kuvend, vjen një ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e 28 deputetëve të Partisë Demokratike, që kërkuan pezullimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë me arrest shtëpie ose në burg ndaj Berishës. Argumenti kryesor i Gjykatës Kushtetuese është se kësaj gjykate mund t’i drejtohet vetëm Kuvendi dhe jo vetëm një grup deputetësh.
“Vetëm Kuvendi mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të bërë një interpretim të nenit të Kushtetutës, apo një interpretim për një çështje si kjo mes SPAK-ut dhe Kuvendit. Mund të legjitimojë vetëm vetë i pandehuri, zoti Berisha, por edhe ai në rastet kur ka kaluar gjithë ky proces në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Pasi ka mbaruar procesi edhe në Gjykatën e Lartë ai mund t’i drejtohej personalisht Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në arsyetimin e GJK-së.
Në këtë mënyrë bie dhe një prej alibive të përdorura nga opozita, interesant do të jetë qëndrimi që do të mbajë grupi i Lulzim Bashës, por edhe vetë Gazment Bardhi, i cili është në dilemën e madhe nëse është me Berishën apo me amerikanët, rrjedhimisht edhe SPAK.
Pas seancës së sotme në Kuvend, ku me gjasë do të jepet autorizimi, SPAK pritet që të drejtohet me një kërkesë të re për Gjykatën e Posaçme, ku do të vendoset më pas edhe masa për Berishën, që do të jetë ose arrest me burg ose arrest shtëpie. Kjo masë që do të kërkohet nuk është bërë ende publike nga prokurorët e posaçëm, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai.