Çfarë nuk bëri PD?

Nga Edmond Arizaj

Se çfarë do të bënte PS para dhe gjatë votimeve shumëkush e dinte. Kur Rama nënshkroi memorandumin 2 në Kuç, gjërat u qartësuan krejt, patronazhimi total i kishte dhënë shifrat finale: vota të sigurta, të lëkundura, kundër. Dihej që shteti teksa përdorte krejt hapur fuqinë dhe paratë publike si bonuse pensionesh, falje gjobash, premtime legalizimesh, erj, pavarësisht ndalimit nga ligji, në mënyrë më të fshehtë mund të përdorte gjithçka tjetër, brenda-në kufij-a përtej ligjit. E përballë këtij organizimi legjionar, çfarë nuk bëri PD?

1. Përballë sistemit paraelektoral të patronazhimit, nuk krijoi sistemin e saj patronazhues, jo si ofertë sepse s’ka çfarë oferton, por si denoncues në pallat, lagje, qytet, rrjete sociale. Vetëm kjo mënyrë mund të fashitte punën fantastike, por në kufijtë e kapërcimit të ligjit, nga patronazhistët. Një sistem patronazhimi për patronazhuesit.

2. Mbrojtja e çdo vote të kërcënuar apo ofruar me vend pune, ndihmë sociale, shërbim shteti. E një sistem intimidimi për punën e drejtorëve në çdo qark mund të ishte e vetmja zgjidhje reale. Vetëm nëse PD është e verbuar të mos kuptojë se drejtorët në këtë sistem zgjedhor janë “tribunus militium”.

3. PD ishte krejt spontane, madje edhe “provat” që tregon tash e parë, dhe që “po i grumbullon për t’ia paraqitur botës”, janë edhe si shprehje, njësoj si zgjedhjet e kaluara. Nuk ka mësuar asgjë nga dështimet. Nuk krijoi një sistem vëzhgimi-monitorimi-dokumentimi-denoncimi, në krejt Shqipërinë, mundësisht dhe diasporë.

4. PD nuk kishte një databazë të njerëzve qejmbetur me PS, të të mërziturve, të kundërshtarëve, e ndoshta edhe të votuesve të sigurtë e të lëkundur të saj.

5. PD nuk kishte idenë si mund të përfitonte nga kodi zgjedhor, megjithëse ishte bashkëfirmëtare.

6. PD nuk ishte gati për të ndikuar pozitivisht në votën e diasporës. Madje nuk ishte gati as për ta bërë të sigurtë atë e të paprekshme, qoftë edhe nga dyshimi.

7. PD nuk kishte një “fond” premtimesh serioze. Të premtosh rritje pensionesh, kur kundërshtari ofron bonuse, dhe pensionisti është më afër vezës sot se pulës mot, i bie të mos përpiqesh të luftosh “të keqen”, por t’i bësh fresk.

8. PD nuk tregoi një strategji se si do e çlironte shtetin nga pushteti i PS, pra si do e zhbënte kapjen e gjithë sistemit nga partia. Teoria të iki ai, se ne jemi më mirë, ka kohë që s’pi më ujë me njerëzit që nuk duan të rrezikojnë në baste politike pa siguri.

9. PD nuk tregoi një qeveri që ajo mendonte të drejtonte vendin pas zgjedhjeve, apo së paku disa emra. Njerëzit u ftuan të votonin për emrin e kryeministrit, i cili ishte po i njëjti që votojnë prej 34 vitesh dhe që e kanë bërë 2 herë kryeministër.

10. PD nuk bëri aleanca të reja, hapje të reja, rekrutime emrash, figurash, ligjëruesish, etj. Nuk kishte tharm në fushatën e saj, as frymë. PD nuk arriti të krijojë ndjesinë se populli mezi po pret ndryshimin.

11. PD nuk mbrojti votën. Nëse pretendon se u vodh, dmth nuk e ke mbrojtur. Nëse pretendon se nuk je policia, drejtësia, apo prokuroria, por ama thua që shteti është i gjithë i kapur, duhet të kishe ndërtuar struktura të posaçme parazgjedhore. Nëse pranon se nuk je në demokraci para zgjedhjeve, nuk mund të pretendosh “demokraci” pas zgjedhjeve. Po pranove të luftosh me gjithë sistemin e kapur, duhet të përgatitesh, sepse e di mirë se si funksionon. Ose gjej mënyra të tjera. Sigurisht hajduti që vjedh lopën, ka fajin kryesor, por nëse vazhdojmë me “humorin e Canes” edhe të flesh gjumë, të mos kesh qen, e ta lësh derën hapur, kompletojnë panoramën. Minimumi vjedhja, manipulimi, duhet vërtetuar përtej paragrafit të “nderkombëtarëve” kishte disa partegullsi.

12. PD nuk pati një strategji marketingu politik që të përballej me maxhorancën. Kandidatë krejt të panjohur, bullizonin publikisht drejtuesit e saj politikë në qarqe, e PD nuk mund të reagonte. PD nuk shfrytëzoi vendimin e PS për të mos dalë në debate. PD nuk pati shtrirje kapilare në rrjete sociale, as me influencerë, as me emra të njohur. PD reklamoi një strategjist amerikan zgjedhjesh, puna e të cilit u kufizua tek një kapele. PD nuk pati asnjë risi në komunikimin publik të zgjedhjeve.

13. PD nuk arriti të krijojë qoftë edhe një batutë përgjatë fushatës e cila të mbetej. Apo premtim. Apo thjesht nje shprehje. PD nuk pati një simbol gjatë zgjedhjeve. Madje nuk kishte as ndonjë narrativë mbreselënëse në shumicë.

14. PD nuk ishte e bindur se do të vinte në pushtet me kryetarin që ka. Madje nuk është e bindur se kjo do të ndodhë në 2029, apo në 2033 me të njëjtin ekip. PD nuk e di se cila dhe si do të jetë e ardhmja e saj. Nuk një plan, një strategji, një manual veprimi.

Në fund: PD nuk kishte bërë asnjë përgatitje serioze për të përballuar zgjedhjet dhe PS me gjithë potencialin e saj shtetëror dhe pushtetor. PD ishte në dijeni që përballë ka një makineri që merr me çdo mjet çdo votë të mundshme, dhe mbron me fanatizëm kërcënues çdo votë të paguar me para publike (rroga, pensione, ndihmë sociale, legalizim, leje, tender), megjithatë u mjaftua thjesht dhe vetëm në punën e pak njerëzve, në perceptimin e rrjeteve sociale, në mendimin se të gjithë janë mërzitur me pushtetin. Duke lënë mënjanë dyshimin më të madh që po duan ta injektojnë dhe që ka ndonjë bazë; PD (lideri) nuk donte të fitonte zgjedhjet.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us