Çfarë u bë shkak? Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut bojkoton Parlamentin

Partitë shqiptare të opozitës në Maqedoninë e Veriut, që përbëjnë koalicionin Lëvizja Evropiane për Ndryshim (LEN) njoftojnë se nga e premtja do ta bojkotojnë punën e parlamentit për shkak të bllokimit të një vendi në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), i cili duhet t’i takojë këtij koalicioni, sipas LEN-it. Opozita shqiptare akuzon Bashkimin Demokratik për Integrim për “uzurpimin e KSHZ-së” dhe anashkalimin e Kodit Zgjedhor.

Bashkërenduesja e grupit të deputetëve të LEN, Safije Sadiki tha në një konferencë shtypi se kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi “po shpik pengesa” ndaj opozitës që të mos përfaqësohet në këtë organ zgjedhor

“Grupi parlamentar i Lidhjes Europiane për Ndryshim nuk do të marrë pjesë në punën e Kuvendit, gjithnjë derisa kandidati ynë për KSHZ, Abdush Demiri, nuk do të vihet në rend dite në seancë plenare. Ky është vetëm hapi i parë. Ne presim që edhe opozita maqedonase t’i mbetet besnike deklarimit se do ta braktisë KSHZ-në nëse opozita shqiptare nuk e merr anëtarin e saj në këtë komision”, tha ligjvënësja Sadiki, e cila thekson më tej se përfaqësimi i opozitës shqiptare në KSHZ nuk është vetëm interes i tyre politik por se në këtë mënyrë “mbrohen themelet për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike”.

Lajme të tjera |  Pedersen bën bis dhe merr vendin e parë edhe në Vlorë. Giro d’Italia i jep lamtumirën Shqipërisë

Përpjekjet e LEN-it për të marrë një vend anëtari në Komisionin e zgjedhjeve kanë filluar që prej themelimit të këtij koalicioni para pak muajsh dhe u shtuan me njoftimin për shpalljen e datës së zgjedhjeve parlamentare, që do të jetë 8 maji, 2024.

BDI-ja nuk është përgjigjur menjëherë ndaj këtyre akuzave të opozitës, ndërsa kryetari i Parlamentit, zoti Talat Xhaferi, i cili është nga radhët e BDI-së iu ka dërguar më parë letra edhe partive të LEN-it por edhe dy partive të formuara së fundmi, PDE dhe “Lëvizja Populli” për t’u kërkuar që të propozojnë kandidatët e tyre për në KSHZ. LP menjëherë bëri të ditur se nuk ishte e interesuar për këtë post.

Ndërkaq, shumica e anëtarëve në Komisionin përkatës të parlamentit për mandate dhe emërime nuk e kanë pranuar kandidaturën e Abdush Demirit të LEN-it me arsyetimin se ai është zyrtar i partisë BESA, ndërsa rregullat e kërkojnë që një kandidat për KSHZ të mos jetë anëtar partie. Vetë zoti Demiri qe zotuar të largohej zyrtarisht nga partia dhe e bëri këtë duke e vërtetuar me anë të një dokumenti të noterizuar, por përsëri Komisioni e ka zvarritur çështjen e kompletimit të KSHZ-së.

Lajme të tjera |  “Votojmë për inerci, le të fitojë kush të dojë, ne nuk fitojmë gjë”

LEN thotë se parti të vetme opozitare, sipas Kodit Zgjedhor janë Alternativa dhe Lëvizja Besa të cilat kanë dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

Siç duket, partitë e shumicës parlamentare parapëlqejnë që vendin bosh të anëtarit në KSHZ t’ia lënë Partisë së re Demokratike Evropiane (PDE), e cila ka vetëm një ligjvënës në parlament dhe nuk ka marrë pjesë në zgjedhje parlamentare si entitet politik. Analistët e shikojnë PDE-në të afërt me partitë e pushtetit. Vendi bosh në KSHZ mbeti që kur Krenar Lloga (i Aleancës për Shqiptarët) u largua prej aty për të marrë postin e Ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut./VOA

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us