“Këmbët e streçeve”, ky është emri i trendit më të ri në TikTok që po kërcënon shëndetin e të gjitha vajzave. Kohët e fundit, hashtagu #legginglegs ka “çmendur” vajzat që përdorin rrjetin social. Kuptimi është kur ke këmbë aq të holla sa që kofshët nuk e prekin njëra-tjetrën.
“Nuk mund të veshësh streçe nëse kofshët janë të bashkuara,”- është një frazë që zakonisht shoqëron hashtag-un, e cila po krijon një tendencë e rrezikshme për shëndetin fizik dhe mendor të vajzave. Në një kohë kur diversiteti po përpiqet të shërojë plagët e së shkuarës, si anoreksia nervore, ky trend i rrezikshëm projekton standarde false të bukurisë, por sjell para dhe publicitet për ata që e promovojnë atë.
Sipas hulumtimeve, nga mosha 6 deri në 10 vjeç, vajzat e reja fillojnë të shqetësohen për peshën e tyre dhe deri në moshën 14 vjeç, deri në 70% e vajzave përpiqen në mënyrë aktive të humbin peshë, ndërsa 12% e vajzave adoleshente zhvillojnë një çrregullim të të ngrënit. Të kontaktuar lidhur me trendin e ri, zyrtarë të TikTok pretendojnë se nuk mund të kontrollojnë përmbajtjen e postuar nga përdoruesit e rrjetit. Ndaj ndërgjegjësimi mbetet në “duar” të tjera.
Por çfarë është “thigh gap”?Thigh gap ose ndryshe hapësira mes kofshëve është kthyer në një ideal bukurie. Shumë gra nuk e kanë, ndaj për ta arritur përdorin dieta ekstreme ose kirurgji plastike. Por hapësira mes kofshëve nuk është tregues i peshës por një tipar fizionomik i natyrshëm vetëm për gratë me një lloj të caktuar të trupit dhe strukturës së kockave që shumica e grave nuk e kanë. Njerëzit me kocka më të gjera të ijeve kanë më shumë gjasa të kenë një hapësirën, por edhe caktohet nga gjenetika. Është krejtësisht normale që kofshët të preken, dhe është gjithashtu normale që disa njerëz të kenë një hapësirë midis kofshëve të tyre.