Çmimet e apartamenteve, rriten me mbi 56% në Tiranë për 6 muaj

Banka e Shqipërisë vlerëson se çmimet e banesave iu kthyen rritjes së shpejtë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Indeksi Fischer i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë tregoi që çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës u rrit me 23.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 44.5% në krahasim me një vit më parë. Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë u rrit me 26.2% ndaj periudhës paraardhëse dhe 56% ndaj nivelit të një viti më parë.

Vlerësimi i përgjithshëm i agjentëve për situatën e përgjithshme të tregut ishte disi më pozitiv në krahasim me 6-mujorin e parë. Në përgjigje të pyetjes “Si e vlerësoni situatën e tregut në krahasim me periudhën (gjashtëmujorin) e mëparshme?”, balanca neto e përgjigjeve ishte pozitive për rreth 5%, me përgjigje veçanërisht optimiste për zonën e qyteteve bregdetare, ku vlera e balancës ishte dukshëm më pozitive sesa mesatarja afatgjatë.

I njëjti tregues i vlerësuar vetëm për subjektet që kanë raportuar shitje rezultoi ndjeshëm më pozitiv gjatë periudhës, me një balancë neto rreth 17%. Balanca e treguesit të numrit të banesave të reja të regjistruara nga agjentët ka rënë lehtë ndaj periudhës paraardhëse. Balanca neto e atyre që raportojnë rritje të numrit të banesave të regjistruara dhe atyre që raportojnë rënie të numrit të tyre ishte -5%. Nga ana tjetër, numri i pronave të pashitura, si për banesa, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtëmujorë radhazi.

Lajme të tjera |  “Mafia, armikja më e egër e bluzave të bardha dhe të sëmurëve”/ Denoncimi i Berishës: 10 ditët e fundit në spitale nuk bëhen analiza!

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra në 9.3 muaj nga 10.5 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Në rastin e Tiranës, koha mesatare e shitjes u ul ndjeshëm në 7.1 nga 9.7 muaj. Koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare u rrit, duke u kthyer në vlerat e një viti më parë, në 10 muaj, ndërsa për zonat e tjera, kohëzgjatja e shitjes ishte pak më e ulët sesa në gjashtëmujorin e kaluar, duke rënë në 11.6 nga 12.9 muaj. Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, ashtu si periudhën e kaluar, gjysma e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 72% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të viti 2024, rreth 18% të banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë. Nga këta, rreth 77% rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së. Në tërësi, pesha e transaksioneve në të cilat blerësit janë jorezidentë ka shfaqur një prirje në rritje gjatë 5 viteve të fundit.

Lajme të tjera |  Hetimi për tjetërsimin e pronave nga Xhaçka dhe bashkëshorti i saj! SPAK 'kundër' GJKKO: S'ka prova

Pritjet për të ardhmen paraqiten pozitive. Agjentët kanë pritje pozitive për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër dhe për periudhën më të gjatë (deri në dy vjet). Sipas informacionit mbi metodologjinë e vrojtimit, informacioni mbi ecurinë e çmimeve dhe vlerësimin e situatës nga ana e agjentëve në tregun e pasurive të paluajtshme merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 subjekte, që kanë si aktivitet kryesor tregtimin e pronave të paluajtshme.

Subjektet e zgjedhura janë agjentë të zyrave të tregtimit të pasurive të paluajtshme dhe shoqëri ndërtimi shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75%-80% të xhiros së të gjithë popullatës. Banka e Shqipërisë realizon hartimin e pyetësorit, si edhe hedhjen dhe përpunimin e rezultateve, ndërkohë që Instituti i Statistikave mbulon intervistimin në terren, proceset kryesore të kampionimit dhe kontrollin fizik të pyetësorëve të plotësuar./Monitor

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us