Blegtorët nga Tepelena, Përmeti, Saranda, Delvina, Gjirokastra, janë mbledhur në urën e Kardhiqit për të zhvilluar një protestë. Blegtorët kanë bllokuar rrugën që të çon nga ura e Kardhiqit drejt Delvinës dhe Sarandës dhe thonë se nuk do të largohen nga rruga.
Ata shprehen të vendosur se nuk do ta zhblllokojnë rrugën pa ardhur një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë Një nga organizatorët e kësaj proteste në fjalën e tij para mediave tha: “Jemi shumë të rrezikuar nga falimenti, 100%.”
“Në Himarë shumë kullota i ka marrë privati. Shteti na ka braktisur, marrim lëmoshë nga institucionet. E bëjmë këtë protestë që të dëgjohet zëri ynë dhe fjala jonë. Të vijnë të na takojnë, të mos rrinë në zyra luksoze atje që i kanë bërë dhe mobiluar me eurot që jep Evropa për ne dhe ata i kanë i kanë kthyer në ofiqe të tyre. Të vijnë të na takojnë, ku janë?! Nuk nuk kemi asgjë , nuk jemi të dhunshëm, duart në xhepa i kemi. Të vijnë të na takojnë. Jemi njerëz, jetojmë në këtë vend, i japim të ardhura këtij vendi. Ministrja e Bujqësisë të vijë të na takojnë. Nuk ikim prej këtej po nuk erdhën të na takojnë.“-tha një blegtor nga Himara.
Ndërkohë një blegtor nga Saranda theksoi: “I pari jam unë që mbaj familje të tëra. Po nuk ndryshuan gjërat do t’i fal bagëtitë, do t’u hap shtegun t’i hajë ujku, jo njeriu. Kështu jemi të tërë. Kam 400 krerë bagëti. Do t’u hap shtegun t’i hajë ujku, se asnjë mbështetje nuk ka nga shteti. Fare nuk ekziston. As në kullotat. Kullotat s’i njohim fare ne njëherë nga shteti. Subvencionet janë tallje. Gjithçka është drejt zhdukjes, ne jemi drejt falimentimit. Nëse shteti nuk merr masa, pyesni në do t’i shesim?! Jo mor jo t’i hanë njerëzit, po do të hap shtegun t’i hajë ujku. Populli të na falë.”
Lëvizja është nxitur nga ulja drastike e çmimeve të qumështit nga fabrikat përpunuese, nga 180 lekë të reja për liter në vitin 2023, në vetëm 120 lekë të reja për liter sot. Kjo ulje çmimi ka sjellë një krizë të thellë financiare për blegtorët.