Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, duke komentuar flet-arrestin e Interpolit për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç, ka theksuar se ekstradimi i Radoiçiç në Prishtinë është i pamundur, transmeton Danas. Daçiç thekson se presidenti serb Aleksandar Vuçiç tashmë ka konfirmuar se hetimet kundër Radoiçiçit janë duke vazhduar dhe se procesi ndaj tij do të zhvillohet para gjykatave të Serbisë.
“Presidenti Vuçiç tha se hetimet kundër Radoiçiçit janë duke vazhduar dhe të gjitha gjykimet do të zhvillohen para gjykatave serbe”, tha ai. Ivica Daçiç më tej përdori retorikë të thekshme nacionaliste anti-shqiptare. “Është e pamoralshme që qeveria në Prishtinë, e dalë nga UÇK-ja, të shpallë popullin serb si terrorist”, tha Daçiç.
I pyetur nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti është i vetmi fajtor për të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet komuniteti serb dhe se qeveria në Beograd e kryesuar nga presidenti Vuçiç nuk mban asnjë përgjegjësi për situatën, Daçiç tha se qeverisja e Kurtit është fajtore për të gjitha problemet e serbëve në Kosovë. Sipas tij, Kurti, por edhe kryeministrat e mëparshëm të Kosovës nuk zbatuan marrëveshjen e Brukselit.
“Komuniteti ndërkombëtar është gjithashtu përgjegjës, sepse mendon se mund të na mashtrojë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit. Ata tani thonë se nuk ka zbatim të Marrëveshjes së Brukselit pa njohjen paraprake të Kosovës së pavarur. Kjo është e papranueshme për ne”, tha Daçiç për agjencinë Beta.
Daçiç deklaroi se Marrëveshja e Brukselit solli 10 vjet paqe për serbët në Kosovë. “Për dhjetë vjet, ne nuk kemi vuajtur presionin për ta njohur Kosovën. Fatkeqësisht, komuniteti ndërkombëtar ka treguar se nuk ka kredibilitet për ta bërë Prishtinën të përmbushë detyrimet e saj sipas marrëveshjes. Komuniteti serb nuk është në pozitë të vështirë për shkak të Marrëveshjes së Brukselit, por për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes nga ana e Kurtit. Qëndrimi i Prishtinës është që të mos zbatojë asgjë që nuk përputhet me konceptin e tyre për pavarësi”, ka theksuar ai.
Duke komentuar vendimin e Listës Serbe për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, Daçiç tha se ky është një reagim ndaj keqtrajtimit dhe mungesës së sigurisë dhe se vendimi është i saktë, sepse sipas tij, ka vënë në dukje problemet e krijuara nga politikat e Kurtit. Sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, Daçiç tha se presidenti Aleksandar Vuçiç ka kritikuar pjesët që mund të interpretohen si njohje de facto ose de jure e Kosovës.
“Ne kurrë nuk e kemi pranuar Marrëveshjen e Ohrit në tërësi. Presidenti Vuçiç tha se në Kosovë fillimisht duhet të formohet ZSO dhe pastaj të diskutojmë për gjithçka”, theksoi ai. I pyetur se çfarë bëri ai pas pranimit të planit franko-gjerman si shef i diplomacisë për njohjen e Kosovës së pavarur, Daçiç tha se procesi vazhdon, por që nuk diskutohet publikisht. “Në vitet e kaluara 28 shtete e tërhoqën njohjen e Kosovës dhe ne do të vazhdojmë këtë politikë”, tha Daçiç.
Në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë efektivin Afrim Bunjaku. Pasi agresorët nuk u dorëzuan, Policia e Kosovës ka qëlluar në drejtim të tyre, duke vrarë 3 anëtarë të grupit. Në krye të këtij grupimi ishte pikërisht Milan Radoiçiç, për të cilin Prishtina ka kërkuar ekstradim.