Rishi Sunak tha sot se migrantët e paligjshëm do të pushtojnë Britaninë e Madhe nëse ligjet globale të refugjatëve nuk ndryshojnë. Nga Italia, ai shtoi se dështimi i trajtimit të kësaj çështjeje do të ‘shkatërronte besimin e publikut’ te politikanët dhe qeveritë. Pasi mbajti një fjalë në eventin e organizuar nga Giorgia Meloni “Atreju”, Sunak u shfaq i afërm me homologen e tij italiane.
Meloni është një tjetër kryeministre që ka kërkuar të ndërmarrë veprime të ashpra ndaj emigrantëve që mbërrijnë nëpër Mesdhe dhe të dy liderët kanë zhvilluar një partneritet të ngushtë muajt e fundit. Sot në Romë në udhëtimin njëditor, Sunak u takua edhe me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, e me të dy pati bisedime për emigracionin ilegal.
Zyrtarisht nga zyra e kryeministrit britanik u bë me dije se Meloni dhe Sunak kishin rënë dakord të bashkëfinanconin një projekt që do të prmovonte kthimin pas të emigrantëve që aktualisht kanë ngecur në Tunizi. Tunizia është fqinje me Italinë sepse gjendet vetëm përtej Mesdheut, ndaj tërheq shumë emigrantë nga disa vende afrikane, të cilët nga aty fillojnë udhëtimin e tyre për në Evropë.
Në bisedime, Sunak theksoi gjithashtu nevojën për skema si plani i Ruandës, ndaj edhe kërkoi mbështetjen nga aleatët evropianë për të ndihmuar në goditjen e emigracionit të paligjshëm, me Shqipërinë dhe Italinë që tashmë i sheh si ndër partnerë kryesorë. Sipas “Dailymail“, sot Sunak mendohet se ka diskutuar një marrëveshje të re me Shqipërinë, e ngjashme me atë të Italisë që aktualisht po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
Një zëdhënës i Downing Street tha se diskutimit do të përqendrohet në partneritetet ekzistuese dhe marrëveshjen e kthimit të emigrantëve me Shqipërinë. Por një tjetër burim konfirmoi se në rend dite do të jetë edhe marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë.
Italia është në vijën e parë të krizës së emigracionit të BE-së, me pothuajse 130,000 të ardhur në 9 muajt e parë të këtij viti. Sipas marrëveshjes, Italia do të dërgojë deri në 3000 njerëz në muaj në Shqipëri derisa të merret një vendim për kërkesën e tyre për azil. Pasi të jenë vlerësuar kërkesat e tyre, Italia do të jetë përgjegjëse për strehimin ose dëbimin e tyre.
Skema është e ndryshme nga partneriteti i Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën, sipas të cilit emigrantët nuk do të kenë asnjë mundësi për të aplikuar për azil në vendin ishullor.