Gazetari amerikan Marc Caputo, i cili punon për agjencinë “Axios” i ka drejtuar një pyetje Departamentit Amerikan të Shtetit nëse kryedemokrati Sali Berisha mund të vizitojë SHBA-t.
Përmes një postimi në “X”, ai lajmëroi se Berisha mund të vizitojë SHBA-në.
“E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA”, shkruan gazetari, i cili më tej publikon edhe përgjigjen e DASH.
Në përgjigje DASH shkruan se ka disa rregulla që lejojnë përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA. Ndërsa, nënvizon se DASH nuk do të lejojë që politika e jashtme dhe marrëdhëniet me Shqipërinë të cënohen nga vendimet e administratës së ish-presidentit Joe Biden.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it”, thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar për gazetarin