Kryetari i PS foli edhe për diferencat intelektuale mes kandidatëve të dy forcave të mëdha politike për zgjedhjet e 11 majit.
Ai vlerësoi kandidatët e PS si një “mozaik”, karshi atyre të PD-ADSHM si një “kënetë që duhet tharë”. Madje shtoi se edhe figurat më të mira që fituan Primaret e PD, “bufi i hëngri”, duke iu referuar në emër edhe deputetit Dashnor Sula si precedent.
“Më falni zonjat nëse ju kam dalë në frigorifer sepse nuk bëni dot darkën kur vijnë burrat në shtëpi dhe nuk gjejnë gjë, e po nuk keni bërë darkën gati ata s’janë në vete për ditë me radhë dhe asgjë. Këtu (në Sarandë), bufi, këneta hëngri kryetarin e PD-së këtu, nuk e njoh, s’e kam idenë fare, por di që është fitues i primareve.
Ku është, hë? E ka ngrënë bufi, e hëngri! Ka ngrënë edhe atë të Kavajës. Këta sa herë i ha bufi, kanë ngrënë atë që u tregon bufi. Po Dash Sula, gjeli detit të Peqinit. Dashi, gjeli detit, po s’është i kënetës ai. Dogji dhe xhaketën Dashi dhe bufi e hëngri. Nuk është më Dashi”, tha Rama.
Kryesocialisti shtoi se është paradoks që në këtë situatë “të votosh kukullat e bufit”. Ai nënvizoi se edhe ndaj tij hidhen akuza të shumta e fyerje, teksa e kritikojnë kur u përmend shprehjet si “çyrykë politikë”, “kënetë”, “buf” dhe të tjera.
“Ça janë këta njerëz tani, do vemi të votojmë për kukullat e bufit. S’e na thonë që i shaj ata, e s’po i them, se kur më thonë mua drogaxhi e kriminel, unë duhet të duroj. Pra këtej keni kandidatët e bufit, që nuk vlejnë për asgjë”, shtoi ai.