Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri, rezultoi se Adriatik Lapaj, lideri i partisë Nisma Shqipëria Bëhet, fitoi vetëm një mandat deputeti me 3.65%të votave kombëtare, ndërsa Tom Doshi, kryetar i PSD, siguroi tre mandate me një përqindje më të ulët votash, 3.42% .
Ky rezultat ka nxitur hap sërish debatin mbi sistemin elektoral shqiptar, i cili bazohet në përfaqësimin proporcional rajonal dhe përdor metodën e D’Hondt për shpërndarjen e mandateve.
Në këtë sistem, shpërndarja e mandateve ndikohet jo vetëm nga përqindja e votave në nivel kombëtar, por edhe nga përqendrimi i votave në qarqe të caktuara.
Për shembull, votat e PSD-së ishin të përqendruara në qarqe si Shkodra dhe Tirana, duke i mundësuar kësaj partie të sigurojë më shumë mandate me një përqindje më të ulët votash në nivel kombëtar.
Në të kundërt, votat e NSHB-së ishin më të shpërndara, çka rezultoi në më pak mandate pavarësisht një përqindjeje më të lartë votash.