Mbledhja e sotme e grupit parlamentar të Partisë Demokratike nuk ka kaluar pa debate; kryefjalë edhe kësaj here ishte kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit, ende nuk është bërë dot pjesë e grupit parlamentar të PD-së, pasi Kuvendi i Shqipërisë, pretendon se përjashtimi i tij është bërë para nisjes së kësaj legjislature. Ky fakt nuk është pritur mirë nga “besnikët” e Berishës. Sipas “Euronews”, në mbledhjen e sotme, Tritan Shehu, Luan Baçi dhe Edmond Spaho, të tre i kanë kërkuar Bardhit që të mos dorëzohet dhe të kërkojë edhe njëherë rifutjen e Berishës në grupin parlamentar. Sipas tyre, tek kjo pikë duhet që të ngulmojnë fort. Deputeti i PD, Tritan Shehu ka kërkuar që të mbahet një qëndrim i egër për të mbrojtur Sali Berishën, madje sipas tij duhet t’i drejtohen me letra ndërkombëtarëve për t’i informuar për burgosjen që ai e quan politike, të Sali Berishës.
“Gjykoj se krahas shprehjes së qartë publike për këtë nga kryetari i grupit, duhet dërguar në vazhdim të të parës një shkresë e dytë nga kryetari, Kuvendit, eksplicite, me emër e mbiemër të Berishës. Këtu duhet qëndruar fort e me çdo çmim. Duhet të mendojmë një procedurë, të marrim vetëdeklarimet, të bëjmë diçka,”-tha Tritan Shehu. Ndërsa Luan Baçi ishte interesuar vetë dhe informacionin që kishte marrë përmes burimeve të tij, e ndau me demokratët e tjerë.
“Duhet një shkresë e dytë ku të rreshtohen të gjithë emrat e deputetëve të dalë nga lista e 25 prillit 2021 dhe ti dërgohet Kuvendit. Këtë gjë ma konfirmuan edhe shërbimet e Kuvendit, pasi u interesova për këtë gjë! Po të vij kështu më thanë me emra absolutisht që do të jetë në listë,”- mësohet të ketë thënë Baçi.
Ndryshe nga Baçi që ishte munduar për të gjetur një zgjidhje, Edmond Spaho ka “folur” përmes revoltës së tij. Edhe njëherë e ka cilësuar të papranueshme faktin që Berisha nuk ishte pjesë e grupit parlamentar.
“Sipas ligjit qenia ne grupin parlamentar të PD përcaktohet nga njoftimi i KQZ për zgjedhjet e 2021 si dhe vetdeklarimi i deputetit. KQZ e ka deklaruar Z. Berisha deputet i PD dhe Z. Berisha vetëdeklarimin në fillim të sesionit e ka bërë deputet i PD. Këto lojëra ka ardhur koha të marrin fund,”-shtoi Spaho. E menjëherë pas tij, ndërhyri Gazment Bardhi, i cili edhe sot për mediat tha se nuk kishte asnjë problem që e pengonte liderin historik të demokratëve që të ribëhej pjesë e grupit, nga ky e shkarkoi Lulzim Basha.
“Biem dakord që ky është Grupi Parlamentar i PD që ka kryetar Sali Berishën. Çdo çështje tjetër që Rama tenton të provokojë opozitë, do të duhet të përballet me pasojat,”-e mbylli diskutimin kryetari i grupit.
Të enjten, Lindita Nikolla njoftoi se grupi parlamentar demokrat kishte vendosur të anulojë të gjithë masat disiplinore për përjashtimet e deputetëve gjatë kësaj legjislature, por në mesin e tyre ishte edhe Sali Berisha. Ky i fundit u përjashtua nga Partia Demokratike më 11 janar. Atë kohë PD drejtohej nga Lulzim Basha ndërsa Gazment Bardhi ishte Seklretar i Përgjithshëm. Përjashtimi i Berishës dhe deputetëve që e mbështesnin atë erdhi pas protestës së dhunshme të 8 janarit ku demokratët u përplasën në selinë e partisë.
Gjithashtu në debatin me dyer të mbyllura në Grupin Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka paralajmëruar përjashtimin e dy deputetëve, mbështetës të Lulzim Bashës. Gazetari i News24, Osman Stafa, shkruan se Gazment Bardhi ka deklaruar se është e papranueshme që Arbi Agalli dhe Orjola Pampuri të amnistojnë Olta Xhaçkën.
“Amnistia dhe mbështetja që Arbi Agalliu dhe Orjola Pampuri i bënë Olta Xhaçkës, i bën automatikisht të shkarkuar nga pozicionet që mbajnë në grup. Është e papranueshme që po duan ta varrosin atë çështje njëlloj si Edi Rama. Kam patur respekt, por kjo është vijë e kuqe, janë bërë bashkë me Edi Ramën për ti dhënë pandëshkueshmëri Olta Xhaçkës. E papranueshme. Do të dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese përsëri mandatin e Xhaçkës. Do të diskutojmë tek të gjitha pikat e rendit të ditës për të cilat do votojmë kundër, përveç marrëveshjes me BE. Për çështjen e cila ka nisur si diskutim dhe kam marrë shumë shqetësime nga ana juaj në chatgrupin tonë (I referohet grupit të Whatsappit ku shumë deputetë kanë shprehur shqetësim për vendimin e Kuvendit për të lënë jashtë grupit Berishën dhe se duhet të bëhet betejë që të futet në Grupin Parlamentar të PD-së), ju sqaroj se kjo nuk është çështje e kryetarit të grupit, sepse anëtarësimi në grup sipas rregullores është me vetë deklarim. Unë mendoj që ne nuk duhet të biem në kurthin që të kthehemi përsëri tek përqendrimi i debatit publik për grupin.“-tha Bardhi.
Çështja e mandatit të Xhaçkës kishte mbetur pa u diskutuar, ndërsa prej 23 janarit 2023, Gjykata Kushtetuese pranoi e kërkesën e 14 deputetëve të PD, për ta shfuqizuar vendimin e Parlamentit që miratoi raportin e mazhorancës për të mos e çuar mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Në seancën e zhvilluar në 11 prill 2024 kërkesa e opozitës për të çuar mandatin e socialistes Olta Xhaçkës në Kushtetuese, për verifikimin e kushtetutshmërisë së mandatit të saj, u rrëzua. Me 72 vota kundër dhe me 39 vota pro Kuvendi vendosi për mosdërgimin e mandatit të ministres në Gjykatën Kushtetuese.
Diskutimet:
Gazment Bardhi: Mirëdita kolegë. Ndjesë për vonesën, por isha në një videocall me përfaqësues të Institutit Amerikan Republikan, që po na ndihmojnë për funksionimin e Federatës Opozitare dhe zgjati pak më shumë se parashikimi. Sot kemi disa çështje në rend dite. Fillojmë me prezantimin e Platformës së Reformës Zgjedhore.
Oerd Bylykbashi: PD kërkon rikthimin te dakordësia e fundit e arritur nëpërmjet pozitës dhe opozitës (i referohet 5 qershorit 2020), për të cilin ka dhe një marrëveshje të firmosur nëpërmjet palëve dhe të mbështetur nga partnerët strategjikë dhe organizatat ndërkombëtare, e për pasojë zhbërjen e pasojave dhe ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor ( korrik dhe shtator 2020), posaçërisht për: Rikthimin e koalicioneve me listë të përbërë ku secila parti antare e një koalicioni ka të drejtë të garojë me emrin e saj në fletën e votimit duke i dhënë zgjedhësit të drejtën të votojë për partinë që preferon, brenda koalicionit. Kjo formë koalicioni ka funksionuar me sukses dhe pa asnjë problem nga 2003-2020 dhe ka siguruar dy rotacione politike (2005 dhe 2009). Eleminimin e pabarazisë së votës dhe padrejtësisë së rezultatit që prodhuan ndryshimet e njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor (korrik dhe shtator 2020) në sistemin zgjedhor. Partia Demokratike qëndron plotësisht për listat e hapura në përputhje me standartin e aplikuar nga shumica dërrmuese e mbi 90% të vendeve që përdorin listat e hapura. PD angazhohet të kontribuojë që në një kohë sa më të shkurtër, të bëjë realitet votën e të gjithë shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë vendit, aty ku ata banojnë, sipas detyrimeve aktuale që burojnë nga Kodi Zgjedhor, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 9 dhjetor 2022, me të njëjtat standarte dhe garanci si shtetasit që votojnë brenda vendit. Sistemi i votimit të shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë vendit duhet të thjeshtohet nga procedurat e rënduara të regjistrimit me qëllim shmangien e kontrollit dhe filtrave qeveritare. Sistemi i votimit për këtë kategori zgjedhësish duhet të jetë efikas dhe i paanshëm dhe nuk duhet të shërbejë për të ndikuar njëanshmërisht në rezultat. PD angazhohet që të analizojë me seriozitet problematikat serioze të shfaqura në zgjedhjet e fundit përsa i përket procesit të votimit dhe numërimit elektronik, me qëllim arritjen e një vendimmarrje përfundimtare e cila di t’i japë fund fazës hibride të pilotimit të tij në disa zona, nëpërmjet shtrirjes së tij në të gjithë vendin, ose heqjes dorë përfundimisht prej këtij sistemi. KQZ ka dështuar të zbatojë garancitë që ligji parashikon për zgjedhësin që të konfirmojë dhe hedhë votën në liri të plotë. Votimi nga persona të tretë dhe/ose operatorë teknikë të KQZ përbën vepër penale dhe është antikushtetues sipas jurisprudencës kushtetuese te 2002. Mungesa e një auditimi të pavarur të çertifikuar, pas tre pilotimesh nga viti 2021, cënon besimin në menaxhimin e votimit elektronik.
Gazment Bardhi: Në emrin tuaj falënderoj kolegun Bylykbashi dhe grupin e punës për këtë material. Kush e don fjalën.
Tritan Shehu: Mendoj të marrim materialin dhe ta studiojmë.
Helidon Bushati: Ne nuk mund të bëjmë reformë zgjedhore pa pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve. E theksoj fort sepse nuk mund të bëjmë ne reformë zgjedhore pa mbështetjen e amerikanëve. Vetëm kur përmirësuam marrëdhëniet me amerikanët ne mundem të marrim atë çfarë morëm. (I referohet fundit të aksionit opozitar).
Asllan Dogjani: Unë propozoj se ne duhet të kërkojmë lista të hapura sa i takon propozimeve për reformën zgjedhore. Dhe këto qëndrime duhet t’I bëjmë edhe publike.
Xhelal Mziu: Marrëveshja e 5 qershorit 2020, që u arrit PD & PS,me ndërhyrjen e përfaqësive por jo vetëm të SHBA dhe BE duhet të jetë thelbi i propozimit tonë. Duhet të kërkojmë rrëzimin e ndryshimeve 28 korrik 2020.
Pra duhet të kërkojmë:
1.Rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.
2.Vota e 100% e diasporës, jo sipas e-Albania, por të gjithë.
3.Ashpërsimi deri 10 fish të masave penale ndaj çdo kujt që cënon ligjin dhe tjetërson votën e lirë.
4.Listat e hapura ngelen të rëndësishme.
5.Votë detyruese për qytetarët.
6.Votim elektronik dhe numërim elektronik si vendet e BE.
7.RIFORMATIM me 6 rajone.
Oerd Bylykbashi: Rregullorja sqaron sesi behet anëtarësimi në grup (lexon nenin e rregullores). Pra vetëdeklarim dhe lista e KQZ. Këtë mendoj ta përdorim, por e vendosim.
Flamur Noka: Po kjo mund të behet mendoj.
Luan Baçi: Edhe unë mendoj si kolegët. Ne jemi shumica e grupit, të analizohet rregullorja dhe të bëhet.
Gazment Bardhi: Dakort. Për problemin që ngriti Albana, kam takuar Kryetaren e Kuvendit për këtë shqetësim dhe e kam kërkuar të mos pengohet funksionimi i komisioneve hetimore parlamentare (TIMS-i dhe koncensionet në shëndetësi). Kryetarja e Kuvendit më ka konfirmuar që nuk ka asnjë vendim politik të PS për t’i bllokuar komisionet dhe keqkuptimet që janë krijuar duhet të zgjidhen. Nëse ka pengesa duhet të ulen dy kryetarët me dy nënkryetarët që të përcaktojnë vijimin, dhe të gjitha shkresat për informacion më është konfirmuar që nuk do pengohet asnjë, do të kalojnë dhe nuk do të këtë asnjë pengesë.
Gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të PD, e zhvilluar sot me dyer të mbyllura ka pasur edhe kritika për mënyrën e organizimit të partisë. Deputeti Bujar Leskaj ka propozuar që të zhvillohen zgjedhjet për pozicionet vakante e të mbetura bosh më Grupit Parlamentar, duke kërkuar që gara të bëhet vetëm mes grave, pasi sipas tij partia është shndërruar në “parti burrash”. E këtij mendimi ka qenë edhe deputetja Dhurata Çupi, e cila ka theksuar se partia është kthyer në parti burrash.
Pjesë nga diskutimi:
Bujar Leskaj: Ne duhet të flasim në media dhe ku ta qartësojmë se duam të rikthejmë koalicionet parazgjedhore. Po ashtu të shprehemi se duam lista të hapura, votën e emigrantëve pa kushtet që vë qeveria, që të kapim një bazë të gjërë emigrantësh, jo vetëm 18 që janë regjistruar në portalin e qeverisë dhe votimin elektronik. Dhe votimi elektronik nuk është aq i thjeshtë sa duket, duhet të mos biem në gracka dhe të sigurojmë që të mos biem pre e manipulimeve.
Ndërkohë propozoj që të zhvillohen zgjedhjet për pozicionet vakante e të mbetura bosh më Grupit Parlamentar E kam bërë këtë propozim edhe përpara disa javësh por e përsëris prap. Dhe unë sugjeroj që gara për këto poste të bëhet vetëm mes grave, sepse jemi shndërruar në parti burrash. Pra unë po e shpreh qëndrimin tim se do të marr pjesë në votimet për këto poste, vetëm nëse kandidatet do të jenë zonja.
Gazment Bardhi: Nuk kam pasur kohë të merrem me këtë, pasi kam pasur shumë çështje me të cilat jam marrë. Por shumë shpejt do të merrem dhe do të zgjidhet, do të vij me një propozim. Aministia dhe mbështetja që Arbi Agalliu dhe Orjola Pampuri i bënë Olta Xhaçkës, i bën automatikisht të shkarkuar nga pozicionet që mbajnë në grup. Është e papranueshme që po duan ta varrosin atë çështje njëlloj si Edi Rama. Kam patur respekt, por kjo është vijë e kuqe, janë bërë bashkë me Edi Ramën për ti dhënë pandëshkueshmëri Olta Xhaçkës. E papranueshme.
Dhurata Çupi: Kam një shqetësim që e ngriti edhe Bujari. E keni kthyer këtë parti në parti burrash. Shkoni nëpër qarqe bisedoni me demokratët dhe aty dalin burri 1, burri 2, burri 3, burri 4, etj. Asnjë grua. Mirë 4 nënkryetarët, sepse duhet, por pjesa tjetër, pse vetëm burra dhe asnjë grua?
Gazment Bardhi: Partia ka ngritur ato dy grupe pune, mund të shtohem me të tjerë padiskutim. Shqetësim i drejtë do ta vlerësojnë strukturat drejtuese te partisë.