Ish-zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonigal, shpërtheu në lot këtë të enjte teksa u dënua me 50 muaj (4 vite e 1 muaj) burg federal për bashkëpunim me një oligark rus për t’iu shmangur sanksioneve amerikane.
Përveç burgut, 55-vjeçari McGonigal, u dënua edhe me tre vjet lirim të me kusht pas burgut dhe u gjobit me 40,000 dollarë.
McGonigal, i cili drejtoi divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në 2018, u deklarua fajtor për akuzën në gusht të këtij viti.
“[McGonigal] e dinte mirë se veprimet e tij shkelnin ato sanksione”, tha gjykatësja federale e Manhatanit Jennifer Rearden ndërsa jepte dënimin.
“Përballë asaj njohurie, zoti McGonigal vazhdoi përpara”, shtoi ajo, duke e quajtur atë një “rrezik të madh për sigurinë kombëtare”.
Ironikisht, përpara se të binte në grackën për lidhjet me Rusinë, McGonigal ndihmoi byronë të hetonte lidhjet e supozuara të ish-presidentit Donald Trump me Moskën.
Ish agjenti i FBI-së u përball me një akuzë të vetme për komplot për të pastruar para dhe për të shkelur Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencave, i cili parashikonte një maksimum prej pesë vjet burg.
“Duke marrë përgjegjësinë për veprimet e mia dhe duke reflektuar mbi situatën time, unë njoh dhimbjen dhe zhgënjimin që i kam sjellë vetes, familjes sime”, tha McGonigal gjatë një ndjese emocionale.
Pas largimit të tij nga FBI në 2019, McGonigal u punësua nga një firmë ligjore që luftonte sanksionet ndaj oligarkut Deripaska.
Gjatë pranimit të fajit, McGonigal pranoi se kishte mbledhur rreth 17,500 dollarë duke ndihmuar Deripaskën duke e ndihmuar të luftonte një oligark rival.
Ato para u transferuan nga një bankë ruse me seli në Qipro në një firmë në Neë Jersey në pronësi të një prej shokëve të McGonigal përpara se të mbylleshin në llogarinë e tij bankare.
Prokurorët u përpoqën ta konsideronin McGonigal si të motivuar nga lakmia, duke vënë në dukje se gjatë kohës që ai punoi për Deripaska, ai kishte rreth 850,000 dollarë të ardhura, si dhe një apartament në Manhattan dhe Mercedes.
Në një rast tjetër, McGonigal u padit nga prokurorët e DC-së për dyshimin se kishte fshehur marrjen e 225,000 dollarëve nga një ish-anëtar i shërbimit inteligjent të Shqipërisë.
Në atë rast, ai u akuzua gjithashtu se kishte marrë pjesë në një takim sekret me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ndërsa ishte në FBI.
Ai pranoi fajësinë për një akuzë të vetme të fshehjes së materialit në atë rast në shtator, ndërsa dënimi do të jepet në shkurt.