Një përplasje e dhunshme fizike për motive të dobëta është regjistruar në Devoll, ku është përfshirë deputeti Bledion Nallbati, së bashku me vëllain e tij Alti Nallbati, i njohur ndryshe si “Duçja”.
Konflikti ka ndodhur me një shofer kamioni, i cili po udhëtonte tranzit nga pika kufitare e Kapshticës nëpërmjet Devollit.
Sipas burimeve nga prokuroria, vëllezërit Nallbati kanë deklaruar se kamioni po lëvizte me shpejtësi dhe i rrezikonte t’i godiste nga mbrapa, çka ka sjellë agravimin e situatës.
Siç shihet dhe nga pamjet, debati verbal ka përshkallëzuar shpejt në një përleshje fizike, ku Nallbati ka goditur shoferin e kamionit duke u hedhur drejt portës së kamionit. Nga pamjet e filmuara, duket ndërhyrja e disa personave të tjerë, të cilët kanë tentuar të qetësojnë situatën dhe të shmangin përkeqësimin e mëtejshëm të incidentit.
Të tre personat janë shoqëruar nga policia në ambientet e komisariatit të Devollit, ku kanë dhënë sqarimet përkatëse mbi ngjarjen.
Pas procedurave të ndjekura nga organet ligjzbatuese, të tre personat janë lënë të lirë.
Ngjarja mbetet nën hetim për të përcaktuar përgjegjësitë për incidentin.