Alicia Kearns, deputetja britanike dhe kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik ka reaguar ashpër ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili mbrëmë lëshoi një deklaratë ku tha se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës po i rrisin tensionet.
Kearns me anë të një postimi në X, theksoi se SHBA ka heshtur për rrëmbimin e 3 policëve të Kosovës nga Serbia. Po ashtu ka shtuar se njësoj SHBA-ja nuk ka reaguar për sulmin në Banjskë.
“Ku është balanci? A kemi parë një deklaratë të tillë nga SHBA pas rrëmbimit të paligjshëm të 3 policëve nga Serbia? Jo. Heshtja për sulmin terrorist në Banjska mbetet shurdhuese”, shkroi deputetja britanike.
Ambasadori Hovenier tha se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në lidhje me dinarin serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe po i rrisin panevojshëm tensione etnike dhe si pasojë ia kufizojnë mundësitë Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur atë në arenën ndërkombëtare.
“Këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha ai.
Ambasadori amerikan përmendi operacionet e kryera gjatë javës nga policia e Kosovës dhe ministria e Punëve të Brendshme në zyrat e institucioneve paralele që mbështetën nga Serbia në komunën e Dragashit, Pejës, Istogut dhe Klinës që ndodhen në pjesën perëndimore të Kosovës si dhe në organizatën joqeveritare “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë.