Lule dhe letra me mesazhe kanë lënë në bregun e lumit Arahtho të Artës shokët e dy fëmijëve që janë nxjerrë pa ndjenja nga uji para dy ditësh dhe ndodheshin në gjendje kritike për jetën.
Megjithë përpjekjet e mjekëve në spitalin e Rios në Patra, Spiros dhe Kleoni mesditën e së premtes, nuk ja dolën dhe u konsideruan të vdekur klinikisht.
Menjëherë, në fillim prindërit e 14-vjeçarit grek Spyros kanë vendosur të dhurojnë organet e fëmijës fatkeq, dhe më pas edhe prindërit shqiptarë të Kleonit, një akt që i ka dhënë kësaj ngjarje nota të tjera humane.
“Falenderoj shtetin grek, doktorët e gjithë Greqisë që bënë të pamundurën për djalin tim. Djali imi iku nga kjo jetë , e morri Zoti, por zemra e tij mbeti në Greqi t’i dhurohet një fëmije tjetër e ti shtojë jetën që do bënte djali im”, babai i Kleonit.
“Falenderoj shtetin grek. Gjithë mjekët bënë të pamundurën, por nuk e shpëtuan dot. Ju faleminderit shumë”, deklaroi nëna e Kleonit.
Para kamerave nuk ka mbajtur dot ngashërimin edhe drejtori i reanimacionit që luftoi bashkë me kolegët e tij për 48 orë që të mbanin në jetë dy fëmijët.
Andreas Iliadhis drejtor i Reanimacionit spitali Rio: Kleoni i vogël dhe Spiros, së bashku, aty pranë tek shtretërit e reanimacionit, sot hapin flatrat e tyre. Hapin flatrat dhe japin jetë tek shumë fëmijë të tjerë. Përfundimisht zemrat… nuk kanë ngjyrë.
Duke i kërkuar ndjesë prindërve të 14-vjecarit grek Spiros, që u hodh në ujë për të shpëtuar 12-vjecarin shqiptar, babai i Kleonit ka shprehur edhe një dëshirë tjetër.
“Kur të vijë dita që të mësoj se kush e morri zemrën e djalit tim , le të bëjë tek zemra shqiponjën e Shqipërisë. Ju faleminderit jam shumë i pikëlluar nuk mund të flas më“, u shpreh babai i Kleonit.
Dhe ka falenderuar edhe emigrantin shqiptar Letian Gega që është zhytur në ujërat e thella të lumit për t’i nxjerrë fëmijët që i kishte marrë rryma.
“Falenderoj Leon nga Berati që u mundua të shpëtonte jetën e djalit tim megjithëse Zoti e morri se e donte për vete”, vijoi më tej i ati i të vogëlushit.
Megjithë fundin tragjik të kësaj ngjarjeje, ishte hera e pare që në mediat greke ju dha një vend kaq i madh veprimit heroik të emigrant shqiptar që u hodh në lumë për të shpëtuar dy fëmijët, por edhe dhurimit të organeve nga prindërit shqiptarë të Kleonit të vogël.