Drejtor i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha foli për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Hoxha pohoi se po punohet për motivin e vrasjes dhe se për këtë gjë janë duke u hetuar disa pista. Ai ka thënë se s’mund të flasë asgjë për motivin.
“Procesi hetimor vazhdon në disa faza. Policia në këtë rast është treguar shumë efikase dhe profesionale. Në afat rekord ka sqaruar vrasjen dhe të arrestojë personat e përfshirë në këtë rast. Mbetet të zbulohet për motivin e kësaj vrasje. Jemi duke hetuar disa pista, por s’mund të bëjë publike derisa të kemi të kristalizuar motivin”, ka thënë Hoxha në FRONTAL.
Kreu i Policisë së Kosovës ka thënë se brenda policisë ka hetues që kanë një përvojë shumë të madhe dhe se në momentet e para kur ka ndodhur rasti i vrasjes së Liridonës, kanë dyshuar se diçka nuk është në rregull. Hoxha ka thënë se sqarimet që janë dhënë nga Naim Murseli dhe personat e tjerë s’kanë qenë bindëse.
“Policia e Kosovës ka arritur nivel të lartë profesional. Edhe policët hetues që punojnë kohë të gjatë dhe kanë përvojë në hetim. Që në momentet e para, kemi pasur indicie që diçka nuk është në rregull. Nuk mjaftohemi me indicie, u desh të sigurojmë prova për ta arrestuar dikë. Rasti u raportua që ka qenë grabitje. Sqarimet që janë dhënë nga vetë ai dhe nga personat tjerë s’kanë qenë bindëse për ne dhe kemi nxjerrë të gjitha faktet dhe dëshmitë. Është ekzaminuar gjithë procesi, kamerat që kanë shpi deri në atë lokacion ku është kryera vrasja”, ka thënë Hoxha.
I pyetur nëse është kapur nga kamerat e sigurisë momenti i vrasjes së Liridonës, Hoxha ka thënë se në vendin ku ka ndodhur krimi nuk ka kamera. “Momenti i vrasjes s’është i fokusuar. Ka qenë një zonë që s’është kapur nga kamerat”, tha ai. I pyetur për fatin e telefonit të Liridona Ademajt, Hoxha ka thënë se s’i di të gjitha detajet, por ka thënë se përmes telefonave të konfiskuar është arritur që të lidhen të gjithë personat e dyshuar për vrasjen.
I pyetur për arrestime të reja të mundshme për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Hoxha ka thënë se s’përjashtohen dhe se ende s’kanë përfunduar hetimet. “Nuk kanë përfunduar arrestimet, kjo varet nga zhvillimet tjera që mund të dalin. S’mund të paragjykoj nëse do të ketë apo s’do të ketë. Mirëpo kjo nuk është e tëra edhe pse është sqaruar pothuajse e gjitha”, ka thënë Hoxha.