Pas atentatit ndaj Gentjan Bejtjas në Fushë Krujë, arma ka krisur edhe në Shkodër. Por fatmirësisht pa viktima. Një person, ende i paidentifikuar, ka qëlluar me armë zjarri Gent Larushkun në Grudë të Re. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 16.35. Autori, ka tentuar që të eliminojë 35-vjeçarin, por për fatin e mirë, plumbat kanë përfunduar në bagazhin e mjetit të tij.
“Rreth orës 16:35, në fshatin Grude e Re, një shtetas ende i paidentifikuar, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të bagazhit të automjetit të shtetasit G. L., 35 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, Shkodër,”-shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.
Pas ngjarjes, për atentatin ka dëshmua edhe vetë Gent Larushku. Në rrëfimin e tij, ai është shprehur se nuk ka dijeni se kush mund të jetë autori, pasi nuk ka konflikte me askënd. Po ashtu, ka sqaruar se nuk ka mundur që ta shquajë siluetën, për shkak të errësirës.
“Isha në makinën time afër shtëpisë kur një person që nuk arrita ta njoh për shkak edhe të errësirës më qëlloi me pistoletë. Fatmirësisht arrita të shpëtoj. Ai qëlloi dy herë dhe u largua menjëherë dhe nuk arrita që ta njoh,”-deklaroi Larushku.
Ndaj edhe për ngjarjen, Policia ka nisur nga puna për zbardhjen e tentativës për vrasje dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.