Zbardhen detaje të reja nga vdekja në rrethana misterioze të biznesmenit shqiptar nga Gjilani, Musah Hamiti. Siç raportojnë mediat e Kosovës, Hamiti është gjetur i pajetë në bodrumin e ashensorit të ndërtesës ku banonte në Gjilan.
Paraprakisht, ai u raportua i zhdukur. Dyshimet e para ishin se në se ai ishte rrëmbyer, për shkak se pas lirimit nga Burgu i Lipjanit, kishte pasur me vete mbi 86 mijë franga zvicerane. Mirëpo, këto para, 350 euro të tjera, tre telefona mobil dhe sende të tjera personale, janë gjetur në çantën e tij.
Ekspertiza që do t’i bëhet kufomës së viktimës, do të zbulojë shkakun e vdekjes së tij, që në dukje nuk ka qenë tentativë për grabitje, pasi të gjitha paratë i ka pasur me vete.
Humbi gjurmët që më 10 janar
Musah Hamiti është deklaruar i zhdukur nga familjarët e tij më 10 janar këtij viti, një ditë pasi ishte liruar nga burgu, ku kishte qëndruar për 25 ditë. Hetimi për zhdukjen e tij ka nisur pasi u raportua se me vete kishte edhe 80 mijë franga, ndërkohë që në pranga kanë rënë dy vajza të reja, shtetase të Shqipërisë. Dy vajzat që janë bënë në pranga sipas mediave në Kosovë janë Silvana Dulellari dhe Marinela Markoviç, të cilat janë dërguar në paraburgim. Marinela Markoviç është me origjinë nga Shkodra, por në moshën 16-vjeçare është “shitur” nga familja e saj tek një serb në Zvicër, me të cilin u martua në moshën 24-vjeçare dhe solli në jetë një vajzë. Pas ndarjes, ajo ishte kthyer dhe prej katër vitesh jetonte në Kosovë dhe kishte nisur kontaktet me biznesmenin, por mohoi se kishin një lidhje intime së bashku. Sipas dëshmisë së avokates së Marinelës, dyshohet se Musah Hamiti merrej me prostitucion dhe ditën e zhdukjes kishte shkuar të blinte një femër për të cilën edhe klientja e saj ka qenë në dijeni, por nuk e ka kallëzuar para Policisë.