Deputeti i AAK-së Haxhi Shala u arrestua dje, 11 dhjetor 2023 në Kosovë. Shala është transferuar në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë gjatë ditës së sotme, 12 dhjetor. Gjykatësi i çështjes ka konfirmuar akuzën ndaj Shalës më 4 dhjetor. Akuza thotë se midis datave 5 prill dhe 12 prill 2023, Shala, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, dyshohet se kanë ndikuar tek dëshmitari 1.
Akuza thotë po ashtu se me urdhër të Shalës, Januzi dhe Bahtijari janë takuar veçmas me dëshmitarin 1, me qëllim që ta nxisin atë që të tërheqë dëshminë ose të mos jepte dëshmi në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Dyshohet se në disa raste, dëshmitari është kërcënuar rëndë ose i janë premtuar të holla.
Prukororia Speciale shprehet se sjellja e Haxhi Shalës ka pasur si qëllim që ta frikësojë dëshmitarin 1 dhe të pengojë zyrtarët, përfshirë prokurorët, që të kryejnë detyrën e tyre. Haxhi Shala akuzohet për veprat penale “frikësim” dhe “tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar zyrtarët që ta kryejnë normalisht punën e tyre”, individualisht dhe me punë të organizuar.
Mësohet se bashkëpunëtorët e dyshuar të Shalës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari janë arrestuar në Kosovë më datë 5 tetor 2023 dhe janë transferuar në paraburgim më 6 tetor 2023. Haxhi Shala pritet që të dalë në gjyq zyrtarisht për herë të parë më datë 13 dhjetor, ora 14:00 në Hagë. Shala, njohur ndryshe si komandant ‘Topi’ në Kosovë, ka qenë edhe deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Gjykata e Posaçme, njohur ndryshe edhe si Dhomat e Specializuara trajton krimet e supozura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo u themelua me votat e parlamentit të Kosovës më 2015, pas pretendimeve të Dick Martyt. Ky i fundit pretendon se UÇK-ja ka kryer krime të tilla si rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq, madje edhe marrje organesh me forcë njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria. Disa ish-komandantë të UÇK-së janë në Hagë, mes tyre ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, Jakup Krasniqi etj.