Gjin Gjoni u zgjodh të shtunën kryetar i degës së Rithemelimit në Lezhë, duke i mundur rivalët me një diferencë të madhe rivalët.
Ish-gjyqtari garoi përballë Albert Rrustit dhe Paulin Markut. Pas votimit të 1.100 anëtarëve të partisë, Gjoni siguroi 604 vota, Rrusti 313 dhe 131 vota mori Marku.
“Kolegët e mi bënë një garë tepër dinjitoze. Populli i Lezhës arriti që të më votëbesojë mua dhe kjo është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Patjetër që situata politike në të cilën ndodhemi është shumë kritike. Partia Demokratike e Lezhës ka objektiva të qarta për 2025. Të bashkuar, siç jemi sot, do të fillojmë organizimin e partisë dhe njëkohësisht përgatitjet për fushatën elektorale të 2025-ës,”deklaroi Gjoni krah kundërshtarëve.
Ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka garuar edhe më herët nën siglën e PD-së, duke tentuar të marrë edhe pëlqimin për deputet në garat paraprake partiake të vitit 2020. Ai u skualifikua nga gara prej kryedemokratit Lulzim Basha, pasi kishte dhënë dorëheqjen si gjyqtar për t’iu shmangur vetingut.