Pas incidentit të rëndë që tronditi opinionin publik gjatë transmetimit live të Big Brother VIP Albania, ku Jozi goditi me shuplakë Gjestin, reagimet nuk kanë munguar.
Një ndër personazhet që ka folur hapur për situatën ka qenë edhe G Bani, i cili u shfaq i përlotur dhe emocionalisht i prekur.
Në një deklaratë publike pas ngjarjes, G Bani u pendua publikisht për momentin kur kishte shtyrë Gjestin gjatë lojës brenda shtëpisë. Por më tej, ai zbuloi edhe një fakt shqetësues – pas mbështetjes që i dha Gjestit, ai është kërcënuar nga persona që sipas tij lidhen me Jozin. “Kanë filluar kërcënimet e para nga njerëz që asociohen me Jozin. Gjithë ju që kërcënoni, jetën e jap, terrorin nuk e pranoj. Jetën e jap, hajde, jetën e jap, por mendimin tim do ta them përherë, fjalën time të lirë, tërë jetën do ta them. Përherë”, u shpreh ai.
G Bani u distancua kategorikisht nga veprimi i Jozit duke e quajtur “të papranueshëm” dhe “pabesi”.
“Nuk do ta kisha bërë asnjëherë kurrë. Në rregull? Unë e distancoj veten time nga ajo gjë 1000%. As nuk dua lidhje fare me asnjë njeri që sillet ashtu”, tha ai.
Duke iu përgjigjur kritikëve që e krahasuan me Jozin për një shtyrje që i kishte bërë më herët Gjestit, ai u shpreh qartë: “Gjithë ju që thoni ‘Edhe ti e ke gjuajtur’, jo, s’e kam gjuajtur kështu unë. Nuk kam marrë tërë forcën time ta godas. Më ka prekur, më ka ofenduar, e kam shtyrë, jo me tërë forcën time. Edhe në qoftë se jeni mbështetësit e mi vetëm për atë akt, vetëm për atë gjest që kam bërë me Gjestin, nuk ju dua hiç. Zero. Ikni.”
Ky reagim i fortë i G Banit pason një valë të madhe solidariteti për Gjestin dhe dëshmi të qarta se dhuna, në çfarëdo forme, nuk ka vend në shoqëri, as në ekran.