Vazhdon numërimi i votave për kandidatët. Nga lista e hapur në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë do të jenë 45 ata që pritet të shkojnë përmes votës preferenciale, 37 nga PS, vetëm 7 nga PD dhe deputeti i zgjedhur i Nisma Shqipëria Bëhet.
Në Tiranë ka një garë të fortë mes socialistëve. Deri tani janë numëruar 1271 nga 1282 kuti brenda, ndërsa ende nuk ka nisur procesi për 42384 fletë nga diaspora.
Nga Partia Demokratike, Jorida Tabaku ka thelluar diferencën me Ilir Alimehmetin, ndërsa në PS gara vijon. Partia Socialiste në Qarkun Tiranë ka arritur të sigurojë 19 mandate deputetësh. Nga këta 12 janë nga lista e sigurtë që dalin automatikisht si kandidatë të votuar nga logoja e Partisë Socialiste. Në Parlament deri tani futen të sigurtë Blendi Gonxhja, Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Hoxha.
Ndërkohë listës i shtohet, Ornaldo Rakipi me 9442 vota, i cili i ka marrë mandatin Xhemal Qefalisë. Në Kuvend gjithashtu futen edhe dy gra të favorizuara nga formula; Anila Denaj dhe Blerina Gjylameti. Olta Xhaçka dhe Etilda Gjonaj janë shumë pranë Gjylametit. Përveç Xhaçkës, që rrezikon janë edhe shumë emra të tjerë që me shumë gjasa nuk do të jenë mes deputeteve të legjislaturës 2025-2029. Mes tyre ish ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kryetarja e komisionit parlamentar të politikës së jashtme, Mimi Kodheli, ish nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj apo kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka.
Në Fier, teksa numërimi i votave të diasporës vijon, diferenca mes PS dhe PD është e madhe. PS ka marrë 12 mandate, ndërsa ajo demokratike vetëm 4. Në Partisë Socialiste nga ana tjetër 7 të fituarit në listë të hapur janë drejt përcaktimit. Ish drejtori i Tatimeve Ceno Klosi është bindshëm i pari, i ndjekur nga Klevis Jahaj dhe Asloral Haxhiu, Antoneta Dhima dhe Elton Korreshi, të pestë me mandat të sigurt. Në garë duken Zegjine Çaushi, Dhimitër Kruti dhe Maldrita Bardho, që luftojnë për 2 mandate.
Në Qarkun e Korçës, i cili po ndahet 6 me 4 për Partinë Socialiste, hyjnë gjithsej 4 deputetë nga lista e hapur. Nga lista e PD-ASHM duket se Fidel Kreka po shkon drejt mandatit, ndërsa te socialistët Ilir Pendavinji konfirmohet si ligjvënës, i ndjekur nga Bledi Çomo që po shkon drejt Kuvendit, ndërsa për shkak të kuotës gjinore Besa Spaho sposton Arian Jaupllarin dhe më shumë mundësi bëhert deputete edhe pse ndiqet nga disa qindra vota nga deputetja aktuale Enslemvera Zake.
Në Lezhë duket se nuk ka garë brenda partive politike. PD-ASHM e cila po e fiton 4-3 qarkun merr dy deputetë nga lista e hapur, me një diferencë të madh ish-gjyqtarin sheik Gjin Gjoni dhe Kastriot Pirolin. Nga PS me votë preferenciale gara është e ngushtë mes Marjeta Nelit e cila kryeson dhe Admir Kadelit e Pranvera Skanës që ndjekin me pak vota diferencë. Nuk dihet sa ndikim do të ketë vota e diasporës.