Qarku i Dibrës është përfshirë mëngjesin e sotëm nga reshjet e dendura të dëborës. Reshje dëbore ka pasur në qytetin e Bulqizës dhe të Peshkopisë. Temperaturat në këtë qark shënojnë 5 gradë celcius, ndërsa ka probleme me qarkullimin e makinave në Bypassin e Rrugës së Arbrit dhe në segmentin Plani i Bardhë-Qafa e Buallit.
Edhe në qarkun e Kukësit ka rënë sasi e madhe dëbore. Lartësia e borës në këtë qark ka arritur në 15-30 centimetra. Në qarkun e Kukësit, rrugët janë të qarkullueshme normalisht, me goma dimërore.
‘Raportohet se disa fshatra në qarkun Kukës kanë mbetur pa energji elektrike. Prefektura e Kukësit, me anë të një njoftimi, ka dhënë detaje për reshjet e rënë në qarkun veri-lindor. I gjithë territori i Qarkut Kukës gjatë gjithë natës dhe vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore, ku lartësia e borës shkon deri në 15-30 cm.
Nga informacioni i marrë nga terreni rezulton se: Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore. Nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.
Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë. Furnizohet me energji elektrike pjesërisht qyteti i Kukësit dhe Nj Adm Zapod. Furnizohet normalisht qyteti Krumës dhe i B.Currit. E gjithë pjesa tjetër e Qarkut nuk furnizohet për momentin me energji elektrike. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.’– njofton prefektura.
Gjatë ditës së sotme, vendi ynë parashikohet të përfshihet nga një mot i paqëndrueshëm, me reshje shiu dhe shtrëngata në thuajse në gjithë territorin.