Dilema e madhe e Silvinjos/ Kuqezinjtë e repartit të avancuar, në luftë për një fanellë titullari. Kush e sulmon Serbinë?

Kombëtarja shqiptare do të përballet me një nga ndeshjet më të rëndësishme të saj në kualifikueset e Kupës së Botës: dueli kundër Serbisë.

Përpara ndeshjes më të ndjeshme të grupit, Kombëtarja gjendet përpara një sfide jo vetëm në fushë, por edhe në zgjedhjet që duhet të bëjë stafi teknik. Reparti ofensiv ofron më shumë alternativa se kurrë më parë, por vetëm tre prej tyre do të formojnë sulmin, në këtë duel me peshë të madhe.

Trajneri Silvinjo ka në dispozicion një grup sulmuesish me profile të ndryshme, por zgjedhja e titullarëve do të varet jo vetëm nga forma aktuale, por edhe nga taktikat për këtë duel. Statistikat sezonale dhe forma aktuale flasin shumë, por zgjedhja përfundimtare do të varet nga balanca taktike që Silvinjo dëshiron të ndërtojë përballë një kundërshtari të fortë dhe emocionalisht të ngarkuar.

ARMANDO- Broja është një nga sulmuesit më të njohur në Kombëtare, por lëndimet dhe minutazhi i limituar tek Evertoni e kanë penguar të gjejë formën më të mirë. Megjithatë, ai mbetet një “armë e rëndë” për përplasjet fizike dhe depërtimet në zonë. Pavarësisht se përballë ishte Andorra, ai luajti titullar në ndeshjen e fundit.

REI– Manaj po kalon një sezon shumë të mirë në Turqi, me një formë të qëndrueshme dhe gola të rëndësishëm. Ai është i fortë fizikisht dhe i rrezikshëm në ajër, dhe mund të jetë surpriza e Silvinjos në sulm kundër Serbisë. Ndeshjen e fundit shënoi dy gola si kuqezi.

Lajme të tjera |  “Kupa si dritare për Europën? Për atë luhet”, Gega para Egnatias: Janë një ekip me kualitet

MYRTO- Uzuni është i shpejtë, i zgjuar në hapësira dhe përshtatet mirë në kundërsulme. Ai mund të shërbejë si sulmues krahu ose “false 9”, veçanërisht në skemat që kërkojnë fleksibilitet dhe lëvizje të shpejtë. Nëse Silvinjo do të zgjedhë një strategji të tillë, Uzuni mund të jetë i përshtatshmi. JASIRI- Asani është i rrezikshëm nga distanca dhe shumë kreativ me topin. Ai mund të jetë zgjidhja ideale në krahun e djathtë, sidomos për të krijuar superioritet me driblime dhe krosime në zone. Paraqitjet në ndeshjet e fundit me Kombëtaren nuk kanë lënë shije të mirë, megjithatë ai është nga të preferuarit e Silvinjos.

NEDIMI- Bajrami i ri në krah. Dikur vendoste ndeshjet me goditje jashtë zone apo lëvizje mes linjave. Tani duhet të shfaqet i rrezikshëm në krahun e majtë. Përsëri mbetet favorit për të qenë pjesë e treshes përpara, por është më i përshtatshëm pas sulmuesit kryesor.

ERNESTI- Muçi është një nga lojtarët më efikas për minuta loje. Ai ka eksplozivitet dhe vendimmarrje të shpejtë, duke u kthyer në një alternativë shumë serioze nga stoli. Duhet të rikuperohet pasi për momentin është i dëmtuar, por parashikimet e shohin atë gati për duelin e 7 qershorit.

MIRLINDI- Duket sikur mbeti disi mbrapa në trenin e Kombëtares. Kishte shansin në Ligën e Kombeve dhe nuk ishte në nivelin e pritur. Në dy ndeshjet e para mungoi, ndërsa prej nëntorit luan me injeksione. Duke analizuar edhe shpërthimet e tij emocionale deri diku nacionaliste, do ta ketë vështirë për të luajtur kundër Serbisë. Megjithatë, ka aftësinë për të lodhur mbrojtjen kundërshtare dhe i fortë në luftën në ajër.

ARBËRI- Hoxha nuk ka marrë shumë minuta këtë sezon, por ai tërheq vëmendjen me aftësitë e tij teknike, i shpejtë në krah dhe driblues. Nëse Bajrami mbetet në krah, i duhet ta nisë nga stoli, por gjithashtu mbetet një alternativë cilësore.

Lajme të tjera |  Futbolli italian në zi, ndërron jetë ish-presidenti i Milanit

INDRIT- Tuci la shenjë në ato dy ndeshje që luajti në Ligën e Kombeve, me performancë të mirë dhe me një asist, por një dëmtim që nga janari e ka penalizuar ecurinë e tij. Vështirë se gjen vend në listë.

TAULANTI- Seferi u kursye në dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve të Botërorit. Megjithatë, sulmuesi njihet për sakrificën që ka bërë në fazën mbrojtëse në ndeshje të caktuara, ku Silvinjo ka preferuar ta aktivizojë në krah. Kuotat e tij për t’u përfshirë me Serbinë janë të ulëta. Silvinjo ka në dispozicion një arsenal të pasur sulmuesish, por sfida e vërtetë është të zgjedhë kombinimin e duhur për një ndeshje me ngarkesë emocionale dhe taktike si ajo kundër Serbisë. Efikasiteti, forma aktuale dhe qëndrueshmëria do të jenë çelësat për të vendosur se kush do të udhëheqë repartin ofensiv të kuqezinjve. (Panorama Sport)

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us