Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka komentuar zhvillimet pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke ngritur akuza dhe autokritikë ndaj sjelljes së opozitës gjatë fushatës dhe në raport me institucionet e drejtësisë.
“Në fakt nuk ka një reflektim nga opozita në raport me SPAK. Edhe kjo më shqetëson. Kur e sheh që pëlqyeshmëria e shqiptarëve ndaj SPAK shkon në 75 përqind dhe në retorikën opozitare ne e sulmojmë, nuk ishte mendoj e duhura”, u shpreh Açka në Report Tv.
“Unë mendoj që një nga arsyet ishte dhe sulmi që Berisha i bënte SPAK, por që mos të lexosh mirë vullnetin e shqiptarëve në momentin që kërkon votat e tyre, mendoj që ka qenë e gabuar.”-tha Açka.
Açka kritikoi përqendrimin e fushatës elektorale vetëm tek figura e Berishës, duke lënë në hije ekipin dhe alternativën politike të PD-së.
“Një tjetër problem i zgjedhjeve ishte përqendrimi i zgjedhjeve tek zoti Berisha. Do duket që ajo gjëja personale e tij, që nga shtatori i 2021 e sot. Iu mbart edhe partisë edhe fushata u përqendrua për të mbajtur figurën e tij në qendër, duke harruar që ne erdhëm në zgjedhje me një ekip.”-tha Açka.
Duke analizuar rezultatet e votimit, Açka u shpreh se opozita ka humbur mbi 140 mijë vota dhe kjo, sipas saj, është rezultat i vendimeve të gabuara dhe përpjekjes për të siguruar pozicione personale.
“Ne na kanë munguar mbi 140 mijë vota në 11 Maj. Këta që nxituan për të marrë listën e sigurt për të mbrojtur veten e tyre, të gjithë këta bishta që ne na mbetën rrugës i mori Rama. Projekti ka qenë që të mbahet lista personale që është një nga shkeljet.”-tha Açka.
Ajo ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si janë përzgjedhur kandidatët për deputetë, duke theksuar se disa kanë shkuar në Kuvend pa vota.
“Diçka nuk shkon, ka deputetë që shkojnë në parlament pa vota. Mbyllën veten e tyre dhe lanë në listë vota të pakonfiguruara“,-vijoi Açka.
Në fund, Açka tha se opozita duhet të reflektojë thellë për braktisjen e votuesve, përfshirë diasporën që, sipas saj, ka votuar për Edi Ramën.
“Kemi një lloj qëndrimi mbi këtë që po ndodh. Përse ne po na braktisin edhe si është e mundur që diaspora votoi Edi Ramën. Faji që na takon duhet ta marrim.
Sigurisht që ka faj dhe Berisha se me atë që mëtoi nga shtatori e këtej nuk po mban një qëndrim koherent.Humbja e thellë, Berisha duhej të jepte dorëheqjen, ka gjasë në një parti familjare”,-tha Açka.