Të martën Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vendosë nëse kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha do të mbyllet në shtëpi pas caktimit të masës së sigurisë “Arrest shgtëpie” të kërkuar nga dy prokurorët e çështjes, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai. Seanca në ngarkim të Sali Berishës do të mbahet në orën 10:00, ndërkohë kryedemokrati nuk ka reaguar ende nëse do të jetë i pranishëm në sallë apo do të qëndrojë në selinë e PD. Ndërkohë po aq e paqartë mbetet fakti se nëse Berisha do ta kryejë masën e arrestit në shtëpi apo do të vendosë si vendqëndrimi selinë e Partisë Demokratike.
I pyetur nga gazetarët Sali Berisha ka hezituar të japë një përgjigje të tillë ndërkohë që ka lënë të kuptohet se do të veprojë kështu, pra selia e PD të kthehet në një “vend izolimi” për të. Po ashtu nuk dihet nëse gjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka do të vendosë që Berishës ti ndalohet komunikimi me të tjerët apo dhe përdorimi i rrjeteve sociale, kjo do ta izolonte edhe më tej kryedemokratin.
Vetë Sali Berisha e ka bërë të qartë se pavarësisht se çfarë vendos Gjykata, ai do ta drejtojë Partinë Demokratike duke hedhur poshtë çdo pretendim që drejtimi i partisë të kryehet nga një nga nënkryetarët apo nga një kolegj i zgjedhur nga Kryesia e partisë.
Tashmë pa imunitetin e deputetit që i jep Kuvendi i Shqipërisë, e marta e 26 dhjetorit mund të jetë dhe “dita e fundit” e tij në liri. Mbetet e paqartë se si do të vijojë drejtimi i PD, por dhe vazhdimi i jetës opozitare.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv’. Në privatizimin e klubit sportiv “Partizani”, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, e po ashtu edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i Partizanit, për të ndërtuar më pas komplekse banimi. GJKKO vendosi masën e sigurisë ‘detyrim parqitje’ për ish-kryeministrin Berisha, teksa ky i fundit ka refuzuar të paraqitet pranë OPGJ. Pas kësaj, SPAK ka bërë kërkesë në Kuvend për shtrëngim të masës së sigurisë për Berishën. Këshilli i Mandateve vendosi t’i hapë rrugë SPAK-ut të për shtrëngimin e masës së sigurisë. Opozita deklaroi se SPAK nuk ka sjellë prova për Berishën në Këshillin e Mandateve, duke paralajmëruar protesta në ditët në vijim