Elia Zaharia dhe Princ Leka u divorcuan zyrtarisht më 25 prill 2024, pas një kalvari të gjatë në dyert e gjykatës. Çifti ishin në qendër të vëmendjes nga mediat sidomos pas skandalit të dhunës në pallatin mbretëror. Së fundmi i ftuar në “Vizioni i Pasdites”, Amosi, vëllai i Elia Zahrias tha se askush nuk e do divorcin, por kjo gjithashtu është njerëzore. Ai tha se kanë kaluar një periudhë të vështirë, për shkak edhe të gjithë lajmeve që kanë qarkulluar në rrjet, por thotë se mbështetja e tij për Elian është e pakushtëzuar.
“Në fillim kemi qenë “Tommy e Jerry”. Kur unë dhe Elia ziheshim bëhej spektakël, e merrte vesh një lagje e tërë. Por me kalimin e viteve, aq më shumë mik bëhem me Elian. Mosha dhe pjekuria na ka bashkuar dhe vijon të na bashkojë. Kemi raport shumë të mirë, Elia është një mikeshë shumë e mirë. Ka këshilla praktike dhe është me këmbë në tokë. Unë deri në moshën 12-13 vjeçare kam qenë një makth për familjarët e mi. Prindërit na kanë dhënë të dyve dashuri të pakushtëzuar. E ndjej veten me shumë fat. Ne jemi gjithmonë protektivë ndaj njëri-tjetrit. Sa herë që secili nga ne përballet me një sfidë familja është mbështetja e parë. Unë jam pranë Elias me gjithë qenien time kur ajo ka nevojë për mua. Problemet i bashkojnë edhe më shumë njerëzit sepse krijohet më shumë ndjesia e unitetit. Unë jam aty për të sa herë ajo të ketë nevojë dhe anasjelltas. Askush nuk e do divorcin. Në momentin që gjen një person me të cilin martohesh, mendon se kërkimi i gjysmës tënde ka marrë fund, ndodh që nuk është gjithmonë ky rasti. Këto janë njerëzore. Patjetër që është tronditëse për mua si vëlla, si miku i saj më i mirë. Por nga ana tjetër kjo tronditje nuk do të ndihmojë që kjo gjë të mos kishte ndodhdur. Duhet të përballesh me faktet dhe të ecësh përpara. Ne këtë po bëjmë. Çdo gjë është kalimtare në jetë. Njeriu është qenie e fortë”, u shpreh ai.
Kujtojmë se vëllai i Elias, Amos Zaharia u vu në dijeni të situatës gjatë një emisioni ‘Live’ pasi ndodhej në Prishtinë me xhirime dhe nuk dinte asnjë detaj lidhur me ngjarjen e ndodhur në familjen e tij.
Sipas vendimit të gjykatë të zyrtarizuar së fundmi është përcaktuar se Elia nuk do ta mbajë më mbiemrin Zogu, por do të rikthejë atë të vajzërisë, Zaharia. Sa i përket ndarjes së pasurisë, nga ky divorc Elia Zaharia do të përfitojë në një apartament 257 m2, i cili është në emrin e të bijës, por edhe një dyqan 134 m2 si dhe një parking rreth 47 m2. Sipas kësaj marrëveshje të hartuar në janar të këtij viti kur Geraldina të jetë në moshë madhore Elia do të humbasë të drejtat mbi pronat në rast të krijimit të një marrëdhënieje të re martesore ose bashkëjetese. Por deri atëherë, Leka Zogu do të paguajë 1 mijë euro vlerë monetare mujore si detyrim kundrejt vajzës, si këmbim e mitura mund të takohet çdo ditë me të atin 2 orë dhe të shkojë në shtëpinë e tij gjatë fundjavës.