Kryesocialisti Edi Rama ka mbyllur fushatën elektorale pasditen e sotme në qarkun e Vlorës, nga ku ka dhënë disa premtime për zhvillimin e saj, duke e lidhur kështu me mundësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë, u shpreh se Vlora është kthyer në një xhevahir të Mesdheut, teksa investime të tjera priten në vitet e ardhshme.
“Një shok kishte parë memorandumin e Kuçit. Dhe më tha si ka mundësi që mandatin e 9 të Vlorës e nxore me 50%. Më tha që nuk ka mundësi që Vlora të mos nxjerrë mandatin e 9 për ty. Ti nuk i njeh vlonjatët i thashë. Vlora mund të nxjerrë dhe 10 mandate, por problem është si të nxjerrësh Vlorën nga shtëpia.
Çdo vlonjat më 11 maj duhet të dalë nga shtëpie sepse mua ma ha mendja që me gjithë këto transformime, nam që i ka dalë anembanë Shqipërisë dhe me xhelozinë që është krijuar për Vlorën. Nuk është mirë që PS të ngjitet mbi 80 mandate dhe Vlora të mbetet te 8. Këto vite është bërë për Vlorën sa nuk është bërë asnjëherë. Ne do të vijojmë të bëjmë gjëra që sot mund të duken të pamundura”, tha Rama
Rama premtoi se do vijojnë investimet në turizëm për këtë bregdet, e se sipas tij, në fund të kësaj dekade, pra në vitin 2030, në këtë vend do të kenë ardhur emra, firma të mëdha, për shkak të industrisë.
“Unë e di që vlonjatët i dinë më mirë vetë te tëra e nuk këmbëngul që t’u them që e di unë më mirë, por dua t’i siguroj të tërë se në 4 vite që vijnë do vazhdojmë të bëjmë për Vlorën gjëra që sot duken të pamundura. Nëse do ishim sot në 2030 këtu në Vlorë do të ishte një vend që tërë Evropa do ta mbante në gojë e në sy si një destinacinon turistik i dorës së parë. Nuk janë fjalë fushate, por fjalë që lidhen me atë se çfarë kemi mbjellë ne për Vlorën.
Mbani mend këto fjalë që në Vlorë, në fundin e kësaj dekade do të kenë ardhur emrat më të mëdhenj, firmat më të mëdha, të gjitha ato gjëra të bukura që mblidhen rreth një vendi kur ai vendi bëhet xhevahir i kurorës së turizmit. Vlora do jetë një nga emrat që do shkëlqejë në atë kurorë”, tha Rama.
Sakaq, kryeministri premtoi gjithashtu se Vlora do të jetë një vend me varg hotelesh prestigjioze. Një gjë e tillë do të rrisë tërheqjen e vizitorëve nga e gjithë bota, e sipas Ramës, Vlora do të jetë destinacioni më i kërkuar i Mesdheut.
“Hotelet kanë filluar të hapin dyert, në këto 5 vite do bëhet territori ku do vijnë firmat më prestigjioze të hotelerisë. Ky qark do ketë një gjerdan plot me emra e dyer ku turistë nga e gjithë bota do gjejnë vend, e me vështirësi do gjejnë vend në fakt, se ju siguroj që bregdeti do bëhet destinacioni më i kërkuar i Mesdheut. Turizmi është një fuqi e madhe, e re për Vlorën”, shtoi kryeministri.