Do heshtësh apo do e sulmosh SPAK? Rama: Garantët e drejtësisë jemi vetëm unë dhe PS

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish marrëdhëniet e tij me Prokurorinë e Posaçme. Raportet me drejtësinë, kryeministri Edi Rama i cilëson të rëndësishme për mandatin e katërt, që Partia Socialiste synon të fitojë në zgjedhjet e 11 majit.

I ftuar në “Off the Record” në A2 CNN, Rama deklaroi se media e interpreton marrëdhënien e tij me SPAK në mënyrë të ngushtë, por e sigurtë është që PS është garantja e drejtësisë së re.

“Është e kotë të kthehem për t’iu thënë që ju atë e interpretoni në mënyrë të ngushtë. Ajo që ka rëndësi sot është se gjithë shqiptarët duhet ta kuptojnë që, më 11 maj, të gjithë shqiptarët duhet të fitojnë PS, duhet të bashkohen te PS, për një arsye shumë të thjeshtë përtej gjithë të tjerave, por për një arsye themelore: Për momentin ne jemi të vetmit garant të përpjekjes së parë në histori për barazi përpara ligjit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë tonë. Këto ndodhin sot vetëm për një arsye, për vendosmërinë dhe përkushtimin e PS në raport me besimin e marrë nga populli se ata që merren me komente, ata i reduktojnë shumë unë them apo i reduktojnë shumë edhe simbolikat e fushatave të mia”, tha Rama.

Lajme të tjera |  Lobimi 6 mln dollarë/ Kolapsi moral dhe politik i PD-së

Më tej, kryeministri nënvizoi se pushteti që u kërkoi shqiptarëve në 2013 për të reformuar drejtësinë, u provua që ishte një fjalë e mbajtur.

“Kur unë thosha më jepni timonin që të mos kem të tjerë në prehër për të garantuar reformën në drejtësi, sepse dua një drejtësi që të godasë majtas dhe djathtas, koha tregoi se ata bënë shumë mirë që ma dhanë timonin pa të tjerë në prehër dhe sot kemi një drejtësi që godet majtas dhe djathtas, kjo është e vërteta”, deklaroi Rama.

Por që drejtësia sipas Ramës, “të garantohet një herë e mirë, nuk duhet lënë në duart e atyre që qeverisin, apo që do të qeverisin në Shqipëri në të ardhmen, por duhet kyçur Shqipëria brenda në sallonin kryesor të Bashkimit Europian, sepse vetëm aty nuk ka ku lëviz askush që qeveris këtu, për të bërë lojëra me drejtësinë”.

Kapitullin e SPAK, drejtësisë dhe luftës ndaj korrupsionit, Rama e mbylli duke nënvizuar se kjo është arsyeja përse i duhet një mandat i katërt

“Vendosja në dukje e problematikave nuk është gjë tjetër veç se një kontribut në funksion të një qëllimi të madh, që është ky qëllim. Por ajo që ka rëndësi është që, paprekshmëria dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë nuk mund të diskutohet dhe garantët e vetëm për të jemi ne, PS dhe unë në krye të saj. Lufta ndaj korrupsionit është shumë e rëndësishme dhe ne po e bëjmë me një vullnet të jashtëzakonshëm. Dhe pikërisht pse po e bëjmë me vullnet të jashtëzakonshme na ka hapur derën Bashkimi Europian. Dhe hapim me një shpejtësi që nuk ka ndodhur më parë për vende të tjera. Jemi me diferencë të parët në rajon për integritetin e prokurimeve publike, sipas Komisionit Europian. Kemi bërë kapërcim historik në menaxhimin e financave publike dhe jemi të parët në rajon në menaxhimin e financave publike, sipas Komisionit Europian. Kemi bërë kapërcim historik në administratën publike dhe prandaj edhe aty kemi vlerësim të lartë nga Komisioni Europian. Patjetër që ka akoma për të bërë. Pikërisht për këtë dua dhe mandatin e katërt për PS, sepse ka akoma për të bërë”, u shpreh Rama.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us