Kur na ndajnë 10 ditë nga zgjedhjet parlamentare tonet janë ngritur nga kampi rozë dhe ai blu.
“Çyryk” e ka quajtur kryeministri Edi Rama, drejtuesin politik të Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, pasi ky i fundit në takimin elektoral të mesditës tha se “do ta hamë të gjallë” qeverinë.
“Ludoviku thoshte ‘do iu hamë të gjallë’. Kështu Ludovik i them Tomor Alizotit, për shkak të një personazhi në një film.
Ky është çyryk, nuk është normal. Ishte një tjetër thoshte se nën këtë qeveri të poshtër, kanë ikur 1 milion lekë, por gaboi, se donte të thoshte 1 milion njerëz. Ata janë njësha, njëri më i lodhur se tjetri, njëri më i mbaruar se tjetri, çohen që në pikë të mëngjesit, pinë ujë kënete dhe e spërkasin”, tha Rama.
Më tej kryeministri u ndal tek sondazhet, të cilat sipas tij keqinterpretohen nga rivalët, në një kohë kur PS del forcë fituese. Rama tha se opozita e cilëson popullin të çmendur duke mos i marrë për bazë rezultatet e sondazheve, por shtoi se ata do të marrin një mësim të mirë nga populli më 12 maj.
“Natën thonë se populli është i sëmurë, edhe pse sondazhet thonë se PS fiton. Këta thonë se populli është i çmendur. Sondazhet thonë se shumica e popullsisë mendojnë se ekonomia është rritur, ata thonë se populli është i shitur. Më 11 maj, do të marrin mësimin më të mirë nga të gjitha zgjedhjet që kemi bërë.
Të gjithë votoni PS-në, sepse në Tiranë më 16 maj vijnë liderët e BE-së, por vijnë dhe udhëheqës britanikë dhe nga Turqia. Ata duhet ta kenë mesazhin e qartë, që shumica e shqiptarëve e duan anëtarësimin në BE. S’mund ta hedhim në kënetë fatin europian të shqiptarëve”, deklaroi Rama.