Presidenti amerikan Donald Trump nuk tha se një sulm nga Izraeli ndaj Iranit ishte i afërt, por paralajmëroi se “mund të ndodhë”, ndërsa SHBA-të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Teheranin për një marrëveshje bërthamore, por njëkohësisht përgatitin evakuime nga Lindja e Mesme.
“Nuk dua të them i afërt, por duket se është diçka që mund të ndodhë”, tha Trump. “Shikoni, është shumë e thjeshtë, jo e komplikuar. Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. Përveç kësaj, dua që ata të kenë sukses”, vazhdoi ai. “Ne do t’i ndihmojmë ata të kenë sukses, do të tregtojmë me ta. Do të bëjmë çfarëdo që është e nevojshme”, shtoi ai.
Trump tha në fund të fundit se do të “donte shumë ta shmangte konfliktin”, por tha se Irani do të duhet të negociojë “pak më ashpër”.
“Domethënë, ata do të duhet të na japin disa gjëra që nuk janë të gatshëm të na i japin tani për tani”, tha ai duke iu referuar dukshëm refuzimit të deritanishëm të Iranit për të hequr dorë nga aftësitë e pasurimit bërthamor.
Trump u tha gazetarëve të mërkurën se SHBA-të kanë këshilluar evakuime në Lindjen e Mesme, pasi situata e sigurisë me Teheranin mund të bëhet “e rrezikshme” për shkak të negociatave të pasigurta bërthamore.
“Ata po largohen sepse mund të jetë një vend i rrezikshëm”, tha Trump. “Ne kemi dhënë njoftim për t’u larguar dhe do të shohim se çfarë ndodhë.”
Komentet e presidentit amerikan erdhën pasi ambasada amerikane në Irak urdhëroi një evakuim të pjesshëm të personelit qeveritar jo-emergjent dhe personat në varësi ushtarake janë autorizuar të largohen nga vendet përreth Lindjes së Mesme.