TIRANË- Gjykata e Posaçme filloi gjykimin në mungesë për Jemin Sherën i akuzuar si organizator i vrasjes së Behar Sofisë në 25 shkurt të vitit 2021. Seanca ka nisur pas një viti pezullim pasi Shera është në kërkim ndërkombëtarë me masë sigurimi “arrest në burg” në mungesë.
Në banesën e Jemin Sherës në Zallherr nuk është gjetur asnjë person. Ndërkohë vëllai i të pandehurit ka theksuar para hetuesve nuk kishte dijeni për vendndodhjen e tij. Në këto kushte Prokuroria kërkoi që të niste procesi në mungesë, gjë e cila u pranua nga gjykata.
Emri i Jemin Sherës si organizator i vrasjes u zbulua nga hetuasit pas rënies në pranga të Bujar Lezës. SPAK tha se nga hetimet ka rezultuar se Shera e ka marrë porosinë për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe për ta realizuar vrasjen ka krijuar grupin kriminal. Në celularin e këtij të fundit u zbuluan komunikimet mes tyre. SPAK bën me dije se të pandehurit e kanë vëzhguar Behar Sofian për 6 muaj deri në momentin e ekzekutimit. Vrasja u bë nga Ernejt Shyti, për vlerën e 50 mijë Eurove.
Prokuroria sqaroi se gjatë gjykimit të Jemin Sherës do të diskutohen 168 prova shkresore, do të dëgjohen 16 dëshmitarë dhe po ashtu kërkoi të japin shpjegime para gjykatës edhe 5 bashkë të pandehurit, Bujar Leza, Xhuliano Visha, Skënder Vathi, Leonard Xhixha dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ernejt Shyti. SPAK dorëzoi në gjykatë 3 aktekspertime telefonike të reja, që nuk ishin sjellë më herët.
Behar Sofia u ekzekutua pranë shtëpisë së tij në Tiranë më datë 25 shkurt 2021. Sofia njihej edhe si eksponent i botës së krimit, pasi ka qenë i arrestuar në vitin 1998 në Turqi për trafik droge. Ai u qëllua me pistoletë selenciator pranë ish-Piramidës.