TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje në dosjen “Partizani”, duke pranuar pjesërisht padinë e “Studio Pustina”. Konkretisht Gjykata vendosi të shfuqizojë pjesërisht vendimet e GJKKO, Apelit dhe Gjykatës së Lartë, pasi gjatë kontrolleve ndaj “Studio Pustina” janë cenuar të drejta ligjore, duke konstatuar cënimin e të drejtës së kërkueses për paprekshmërinë e banesës.
Sipas të dhënave, SPAK ka kryer sekuestrime të dokumenteve shkresore dhe të kompjuterave të “Studio Pustina” me administratore Andia Pustina gjatë hetimeve për dosjen hetimore të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.

Në këte proces është marrë i pandehur kryetari i PD-së Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, biznesmeni Fatmir Bektashi, Andia Pustina dhe Xhimi Begeja.
Ndërkohë seanca e parë ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe të tjerëve për aferën “Partizani”, pasi u morën të pandehur u shty për në 21 korrik. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit dhe u përfaqësua nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Klodiana Gjyzari. Në sallë mungonte eshe biznesmeni Fatmir Bektashi.
Hetimet për dosjen Partizani nisën në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të “korrupsionit pasiv” të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t’iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Aktualisht Berisha është në liri, por me masën “detyrim paraqitje”, 2 herë në muaj. Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.