Drogë e vrasje me porosi, ERT: Bandat shqiptare në Greqi fitime 300 mln euro

Media e njohur greke ERT ka shkruar një artikull në lidhje me aktivitetet e paligjshme të shqiptarëve në Greqi. Sipas medias në fjalë, bandat shqiptare porosisin vrasje dhe kryejnë një pjesë të transportit të drogës anembanë vendit.

Sipas ERT, bandat shqiptare e kanë fokusuar aktivitetin e tyre në vrasjet me porosi, trafikun e qenieve njerëzore, si dhe trafikun e drogës. Nga aktivitetet e paligjshme, bandat shqiptare në vendin fqinj dyshohet se fitojnë 300 milionë euro.

ARTIKULLI I ERT:

Autoritetet greke po hetojnë mundësinë që i dyshuari shqiptar që qëlloi tre të rinjtë në Gazi është arratisur në Shqipëri. Bashkëpunëtori i tij 33-vjeçar pretendoi se nuk dinte për faktin se miku i tij po mbante armë. Ai mësohet se është arrestuar dhe akuzuar në të kaluarën për krime të ndryshme, sikundër dhe bashkëkombasi i tij në kërkim.

I armatosuri në kërkim është akuzuar në Greqi për shkelje të ligjit për të huajt dhe vjedhje. Sipas mediave shqiptare, ai ndodhet prej dhjetë vitesh në burg në Shqipëri, pasi qëlloi tre policë. Ai doli nga burgu pikërisht një vit më parë.

Veprimtaria e mafies shqiptare

Vrasja e hidraulikut në New Ionia shkurtin e kaluar gjatë një përleshjeje mes banditëve shqiptarë dhe ekzekutimi gjakftohtë i dy personave të tjerë në mes të ditës në një kafene në Nju Smyrna dhjetorin e kaluar, janë vetëm dy nga incidentet e përgjakshme pas të cilave qëndron mafia shqiptare. Mafia shqiptare në Greqi vepron në aktivitetet e jashtëligjshme të vrasjeve me porosi, trafikun e qenieve njerëzore, si dhe trafikun e drogës.

Trafiku i drogës

Fitimet e bandave shqiptare nga trafiku i lëndëve narkotike thuhet se janë në shuma marramendëse, pasi sipas raportimeve të Policisë, grupet kriminale kanë rreth 2500 anëtarë dhe se në total kanë fitime deri në 300 milionë euro. Bandat shqiptare janë gjithashtu të përfshira në 26% të sasisë totale të heroinës së trafikuar, ndërsa në trafikun e hashashit janë të përfshirë në 31 përqind të rasteve.

Sipas burimeve policore, pesë bandat shqiptare që dyshohet se janë shpërndarë nëpër burgje në Greqinë Qendrore dhe Jugore janë përgjegjëse për të paktën 15 sulme kriminale vetëm në muajt e fundit./

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us