Burime nga urgjenca e spitalit të Traumës thonë se nga ekzaminimet e para avokati Sokol Mëngjesi ka dy fraktura në kokë.
Pritet t’i bëhen edhe ekzaminime të tjera, pasi këto janë rezultatet e para gjatë ekzaminimit me skaner, shkruan Top Channel.
Avokati i Berishës dhe i inceneratorit të Tiranës, Sokol Mëngjesi po linte fëmijën në kopsht kur u rrah barbarisht nga tre persona të paidentifikuar këtë të mërkurë.
Autorët e kanë gjurmuar avokatin kur ka dalë nga banesa e tij në zonën e ish-Bllokut dhe i kanë zënë pritë.
Incidenti ndodhi rreth orës 08:30 në kopshtin 31. Autorët, që paraprakisht dyshohet se ishin tre, e qëlluan 34-vjeçarin me dorezë metalike në kokë. Avokati u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës.
Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.