Nga Namir Lapardhaja
Përgjatë dekadës së fundit, që ka korresponduar me pushtetin e Edi Ramës, dy janë reformat më të mëdha të politikës: ligji i dekriminalizimit dhe Reforma në Drejtësi.
Gjithçka tjetër, është derivat i tyre.
E para, në masë të madhe, ka reflektuar projektimin, insistimin, mbështetjen dhe inkurajimin e paasnjëkusht të PD-së së drejtuar nga Lulzim Basha; e dyta, e mbështetur, mbrojtur, inspiruar, financuar dhe vëzhguar nga optika e rreptë e partnerëve euro-atlantik, veçanërisht SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Ligji i dekriminalizimit goditi në masë të madhe të zgjedhurit vendor të Partisë Socialiste, duke bërë që disa prej më të rëndësishmëve të humbasin mandatin, të tjerë të përballen me drejtësinë për shkak të deklarimeve të rreme, ose të fshehjes së të shkuarës së dyshimtë kriminale.
Madje, u duk se sa herë që Rama fuste dorën në thesin e të përzgjedhurve të vet, nxirrte prej tij nga një të kriminalizuar.
Ligjin e dekriminalizimit e ka sulmuar vazhdimisht, duke bërë gjithçka që subjektet e tij t’i mbrojë deri në momentet e fundit, siç bëri me E. Roshin e Kavajës, V. Dakon e Durrësit, S. Tahirin etj., ashtu sikurse ka thumbuar vazhdimisht ambasadorët e SHBA-ve në Tiranë, duke u kujtuar se Shqipëria nuk mund të jetë Republikë Ambasadorësh.
Ndërsa Reformën e Drejtësi, e cila, praktikisht, është duke i rrënuar përditë themelet e pushtetit të tij korruptiv, e delegjitimon duke “e mbrojtur” në dukje, duke marrë ekskluzivitetin e realizimit të saj në takime dhe kongrese, duke vënë lolo të tij të flasin për sukseset e saj, ndërkohë, nga ana tjetër, nëpërmjet kësaj taktike, u jep mundësi “kundërshtarëve” të tij ta sulmojnë, duke treguar me gisht Edi Ramën si inspirues dhe mbështetës të saj.
Kjo është dukja e gënjeshtërt, sepse e vërteta është krejtësisht ndryshe.
Askush më shumë se Edi Rama nuk është goditur nga këto dy ligje, askush më shumë se ai nuk është sikletosur politikisht nga arritjet dhe sukseset e tyre.
Nuk shpjegohet ndryshe vlimi i durimit dhe “tërheqja” e vëmendjes ndaj prokurorëve apo gjykatësve, duke u kujtuar atyre se “Shqipëria nuk mund të jetë Republikë Prokurorësh” apo nëpërmjet gojës së B. Çuçit kur “këshillon” Dumanin e SPAK-ut të shoh punën e tij dhe të mos merret me komente personale.
Është e qarta se goditja sot e piramidës korruptive, i hap rrugë hetimit të tij dhe të familjarëve të tij nesër.
Reforma në Drejtësi, nëpërmjet SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme, ka filluar një përballje epike, të përditshme, të vështirë dhe aspak të barabartë përsa i përket sulmeve dhe baltës së gjithanshme, ku deri më sot ka çuar në bankën e të akuzuarëve kryetar bashkish socialist, ish-deputetë të PS-së, ministra të qeverisë Rama, të tjerë ish-ministra janë nën hetim, dhe sigurisht Numrin Dy të “arritjeve” dhe “sukseve” më të mëdha të kësaj mazhorance, A. Ahmetaj, në arrati prej disa muajsh.
Të dyja këto reforma të rëndësishme, Edi Rama ka zgjedhur t’i godasë duke i legjitimuar në sytë e publikut.
Marrja nën hetim sot e ish-kryeministrave apo ish-presidentëve të vendit, është një kambanë alarmi edhe për atë, se, nëse SPAK-u dhe Gjykata e kanë sot disi të “vështirë” për shkak të presionit të gjithanshëm publik, nesër, kur rruga të jetë hapur, ata sigurisht do ta kenë shumë më të lehtë për ta çuar Edi Ramën përballë drejtësisë.
Politikisht Edi Rama i ngjan atij muzikantit te “Titaniku” që, duke mos pasur asnjë mundësi shpëtimi nga mbytja e anijes, ka zgjedhur t’i bjerë instrumenteve muzikore për të “lehtësuar” përballjen me vdekjen.
Sepse subjektet e dekriminalizimit dhe hajdutët e rënë në rrjetën e SPAK-ut e kanë Edi Ramën e tyre dhe, herët a vonë, do ta “thërrasin” t’i udhëheqë në përballjen me drejtësinë.