Sali Berisha, ka dalë në konferencë shtypi, ku ka adresuar edhe exit pollin e Albanian Post, e cila e nxjerr Koalicionin Shqipëria Madhështore humbëse në zgjedhje.
Berisha deklaroi se exit poll u publikua nga “një gënjeshtar i gatshëm”, duke iu referuar Baton Haxhiut, por tha se nuk e ka realizuar ai.
“Baton Stanishiqi nuk ka bërë asnjë exit-poll, Rama po e përdor si gënjeshtar të gatshëm sepse këto janë orët e tij të fundit në pushtet”, tha kryetari i PD-së, gjatë komentit të tij.
Po çfarë thotë exit poll i Albanian Post?
Demokratët e Sali Berishës rezultojnë me 54 mandate me 38% të votave në rang vendi.
Nga ana tjetër PSD-ja e Tom Doshit mund të marrë tre mandate, ku dy i ka në Shkodër dhe një në Tiranë me 2.2% të votave në rang vendi.
Partia Mundësia e Agron Shehaj merr 3.6% të votave në rang kombëtar, por arrin të marrë vetëm 2 mandate, për shkak të shpërndarjes së gjerë të votave në gjithë Shqipërinë dhe përqendrimit vetëm në qarkun e Tiranës.
Në 1 mandat është Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, në qarkun e Tiranës.
Një mandat mund të marrë edhe Lulzim Basha në Tiranë, ndërkohë që Adriatik Lapaj dhe koalicioni i tij rezultojnë pa asnjë mandat.