Futbollisti i Kombëtares shqiptare Ernest Muci së shpejti mund të largohet nga Legia Warszawa. Një nga klubet e Premierligës ka shfaqur interes për transferimin e të riut shqiptar. “Ushtarakët” mund të fitojnë nga ky transferim miliona euro.
Ernest Muci është një nga futbollistët e rinj më të mirë në Ekstraklasa (kampionati polak). Lojtari i Legia Warszawa erdhi në klub në shkurt të vitit 2021 nga KF Tirana për 500,000 euro. Sulmuesi filloi të binte në sy shpejt, falë aftësive të tij. Triblimi dhe agresiviteti i tij tërhoqi vëmendjen e Celta Vigos në verën e vitit 2022, por në fund transferimi nuk u realizua.
Gazetari sportiv me burime të besueshme, Fabrizio Romano bën me dije se Muci mund të blihet nga një klub tepër i njohur. Bëhet fjalë për Fulhamin, një skuadër nga Londra që zakonisht luan në Premier League. Skuadra aktualisht është në vendin e 12-të në kampionatin anglez me 18 pikë të grumbulluara.
A e vunë re anglezët talentin e shqiptarit pas ndeshjeve ndaj Aston Villas, në të cilat ai shënoi tre gola?
Sa do të fitojë Legia nga shitja e lojtarit të saj? Bëhet fjalë për miliona euro. Kosta Runjaiç ka thënë dikur me shaka se shqiptari Muçi mund të shitet deri në 25 milionë euro. Josue pretendon se 22-vjeçari do të vendosë një rekord të ri në klub, për transferimin më të shtrenjtë. Aktualisht, lojtari më i shtrenjtë i shitur i Legias është Radosław Majecki – 7 milionë euro për AS Monaco.
“Nëse Muci vazhdon me këtë ritëm, ju siguroj se do të jetë një nga lojtarët që do të shitet me çmimin më të lartë në historinë e Legias. Ai ka potencialet për të përfunduar në një skuadër të madhe. Shpresoj që një ditë të transferohet për dhjetëra milionë euro. Ai ka talent të madh dhe mund të shkojë larg. Por kjo kërkon pjekuri. Pastaj ai do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për ekipin”, tha Josue. Ernest Muçi është sulmues i Kombëtares Shqiptare dhe po bën ndeshje mjaft të mira me Legia Varshavën.