E hëna më dëshpëruese e vitit është sot dhe quhet e “hëna blu”. E hëna Blu ndodh çdo vit të hënën e tretë të janarit. Supozohet të jetë dita më dëshpëruese e vitit, pasi sipas teorisë së shkencëtarëve nga Britania e Madhe, ndjenjat janë të zymta pas festave të Krishtlindjeve, për shkak të problemeve financiare dhe asaj që la pas ndërrimi i viteve.
Si u krijua e hëna blu?
E gjitha nisi në fillim të viteve 2000, kur një kompani reklamash në Britani krijoi një fushatë për agjencinë e udhëtimeve Sky Travel, me synimin për të caktuar një datë për ditën më melankolike të vitit. Madje, për të promovuar sa më mirë reklamën, ata dolën me moton:Rezervoni pushimet tuaja sot dhe largoni trishtimin.
Psikologu i Universitetit të Kardifit, Cliff Arnal, mori përsipër t’i jepte një studim shkencor kësaj teorie. Në vitin 2005, ai shpalli një formulë matematikore për të gjetur ditën më dëshpëruese të vitit dhe doli në përfundimin se ishte e hëna e tretë të janarit.
Formula e Arnal përfshin gjashtë faktorë, si moti (W), të ardhurat (D), borxhi (d), koha që nga Krishtlindjet (T), koha që nga dështimi për të zbatuar rezolutat e Vitit të Ri (Q), nivelet e ulëta të motivimit (M) dhe nevoja për veprim (Na). Megjithatë, e hëna blu është një ditë si çdo ditë tjetër e vitit, e cila mund të jetë e zymtë për disa, më e zymtë për të tjerët dhe aspak e zymtë për ndonjë tjerë. Janari, gjithsesi, është një muaj i rëndë për të gjithë.