“E ke vajzën e bukur, do e marrim ne”, çfarë ndodhi me Vokshin dhe Xhabaftët në Vorë më 11 maj

Përplasjet gjatë ditës së zgjedhjeve të 11 Majit vijojnë të diskutohen në seancat e Kuvendit, ku një nga më të diskutueshmet është ajo e Vorës, ku deputetët e Partisë Demokratike Flamur Noka dhe Albana Vokshi u përplasën me disa prej anëtarëve të familjes Xhabafti në momentin që është paraqitur për të votuar.

Në lidhje me incidentin Policia e Tiranës deklaroi se vuri në hetim në gjendje të lirë Flamur Nokën. Deputeti i PD u procedua, pas kallëzimit të Xhoni Asllanaj dhe Mateo Dedej, ku pretendojnë se Noka i ka penguar dhe kanosur për të ushtruar të drejtën e votimit.

Por si duket incidenti nuk është mbyllur vetëm me përplasjen verbale në qendrën e votimit.Deputetja Albana Vokshi nga seanca plenare, një ditë më parë në Kuvend, gjatë fjalës së saj, deklaroi se është kërcënuar bashkë me familjen ditën e zgjedhjeve në Vorë. Vokshi akuzoi Spiropalin se nuk bëri e nuk tha asgjë për kërcënimet që ajo dhe familja e saj morën ditën e zgjedhjeve të 11 Majit në një qendër votimi në Vorë. Gjatë fjalës, Vokshi përmend edhe fëmijët e saj, por duke përfshirë edhe familjet shqiptare, pa treguar më tepër në lidhje me kërcënimet.

Albana Vokshi: Elisa nuk foli një fjalë për intimidimin dhe kërcënimin që mu bë mua dhe familjes time ditën e zgjedhjeve në Vorë, po vajti atje sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Ata që guxuan të më kërcënojnë mua, familjen time, çdo votues do më kenë pas gjithë jetën. Dhe kjo nuk është një betejë që e bëj për veten time, është një betejë që do e bëj jo vetëm për fëmijët e mi, një betejë që do e bëj për çdo familje shqiptare, për fëmijët e tyre që mos të përballen me këta kriminelë që i mbështesni ju.

Brenda dyerve të Parlamentit, duket se nuk është vetëm kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ajo që ka djeni për kërcënimet ndaj familjarëve të deputetes Albana Vokshi. Në emision “Çim Peka Live”, ku e ftuar ishte deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, detaje të reja u zbardhën nga përplasja në Vorë. Gazetari Çim Peka, zbuloi se Vokshi ishte kërcënuar me vajzën e saj.

Gazetari Çim Peka: Pashë rastin e Vorës atë ditë, Albana Vokshi është kërcënuar me vajzën që e kishte me vete. I kanë thënë e ke shumë të bukur këtë vajzën do të ta marrim ne. Ajo vetë nuk del ta thotë dot.

Deklarata e gazetarit u pohua nga deputetja Jorida Tabaku, e cila në diskutim deklaroi se e ka thënë kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi në Parlament.

Lajme të tjera |  "As dorën mos iu jepni" - Dëshmia për takimin e ’68-ës me Jugosllavinë, të cilin Shqipëria e humbi

Jorida Tabaku: Bardhi i ka kërkuar llogari Elisa Spiropalit dhe i ka thënë, ti si nënë duhet ta denoncoje e para.

Por në seancën e parë pas zgjedhjeve kryeparlamentarja i ndërpreu fjalën Bardhit, sapo ky i fundit përmend rastin e Vorës me Xhabaftët, duke i fikur mikrofonin.

Gazment Bardhi: Në procesverbal keni zbardhur emra të tjerë të krahut andej dhe të përfaqësuesve të qeverisë. Në fakt do të duhet të vendosnit emrat e vërtet të atyre që ju përfaqësoni në këtë Kuvend. Fjala vjen zonja kryetare ju nuk quheni Elisa Spiropali, ju quheni përfaqësuesja e Xhabaftëve në Kuvend… (fiket mikrofoni).

Çfarë ndodhi në Vorë?

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Albana Vokshi u përplasën me disa persona jashtë një qendre votimi në Vorë. Burime për Zëri bënë me dije se Noka shkoi në mbështetje të disa deputetëve të PD që kishin pretendime se pjesëtarë të familjes Xhabafti ndodheshin jashtë QV. Situata është tensionuar pasi PD pretendoi se fisi Xhabafti ka hyrë brenda qendrës së votimit për të votuar në emra të qytetarëve të tjerë, ndërkohë që ata deklarojnë se kanë shkuar për të votuar si qytetarë të Vorës.

Lajme të tjera |  E shtuna për plazh, si parashikohet moti për sot! Temperaturat deri në 36 gradë Celsius

Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet pas incidentit të ndodhur në Vorë ditën e votimit të 11 majit dhe pritet të hidhet dritë mbi incidentin./ZËRI

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us