Napoli u rikthye te titulli kampion në Serie A pas 2 vitesh. Napolitanët ngritën në qiell titullin e 4-të në histori dhe të 2-tin në 3 vitet e fundit.
Një sukses i jashtëzakonshëm nga “djemtë” e Antonio Contes, të cilët ia dolën të fitojnë përballë çdo rivali dhe të lënë mbrapa Interin. Vetëm 1 pikë bëri diferencën dhe tashmë për Conten kanë nisur interesimet e para.
Timonieri kërkohet shumë nga Juventusi, me “Zonjën e vjetër” që synon ta rikthejnë në “Allianz Stadium”. Nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi siç dihet 55-vjeçari ka kontratë të vlefshme me kampionët deri në qershor të vitit 2027.
Në lidhje me të ardhmen e Contes ka folur presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis. 76-vjeçari ka theksuar se nuk i dihet dhe së shpejti do të ulen për të diksutuar mbi këtë çështje.
“Mos u çudisni. Gjithçka mund të ndodhë. Do të ulemi dhe do të flasim për këtë çështje. E dua trajner të skuadrës time për Champions-in. Ai është i zoti dhe ndërtoi një ekip me shumë potencial.
Merkato? Do të vijnë emra të mëdhenj dhe lojtarë me peshë. Nuk mundet të them emra, por duhet thjesht të punojmë gjatë kësaj kohe”,ka theksuar numri 1 i Napolit.