Një rast birësimi i një 5-vjeçareje që mund të ishte kthyer në situatë fatale për të është parandaluar në kohë. E mitura e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër ishte birësuar në tetor të vitit të kaluar nga një familje në Fier pas të gjitha analizave të bëra nga Komiteti Shqiptar i Birësimit.
Por drejtorja e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër, Anxhela Radovani thotë se ishte vënë re se marrëdhënia mes nënës birësuese dhe vajzës nuk ishte e suksesshme, madje rezultoi se nëna kishte ushtruar edhe dhunë ndaj të miturës.
“Kishte dhunuar fëmijën në ambientet e kopshtit. Realisht nëna birësuese ka hequr dorë nga kujdestaria…”
Nënës iu dha edhe mbështetje psikologjike, por situata nuk ndryshoi duke bërë që institucionet të ndërhynin.
“Me shumë ndërhyrje nga njësia e mbrojtjes së fëmijës ka arritur në pikën që fëmija të merret në mbrojtje. Është kthyer edhe një herë në institucionin tonë”, tha Radovani.
Radovani thotë që ky është rasti i parë në eksperiencën e saj që është hasur me një situatë të tillë.
“Me aq sa komunikova me komunitetin e birësimeve është rast i paprecedentë”, u shpreh ajo.
Për të parandaluar raste të tilla, Shtëpia e Fëmijës Shkodër kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve.
Tashmë fëmija është marrë në mbrojtje dhe pavarësisht se rikthimi në institucion ishte traumatik, me rëndësi është që ai është tashmë në një mjedis të sigurt./Tv Klan