Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku ka folur për herë të parë për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. I ftuar në emisionin “Dekalog”, Mazniku tregoi se përse qëndroi i heshtur në ditët e para të arrestimit të Veliajt. Por po ashtu, shtoi se arrestimin e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë e kishte përjetuar në mënyrën më të tmerrshme, por nuk kishte komentuar pasi e dinte që qëndrimi i tij do të ishte i njëanëshëm. Megjithatë shtoi se për rastin foli aq dhe ashtu sesi duhej kryeministri Edi Rama. Sa i përket vizitave në burg, u shpreh se nuk e kishte të lejuar që të shkonte për takim.
PJESË NGA INTERVISTA:
Roland Qafoku: Si e përjetuat momentin kur pate që zoti Veliaj, miku juaj i vjetër, bashkëpunëtori juaj i ngushtë, u arrestua nga SPAK-u?
Arbjan Mazniku: Në mënyrën më të tmerrshme. Veliaj ka bërë një punë të jashtëzakonshme për qytetin e Tiranës dhe është një mik shumë i mirë. E gjithë ngjarja në vetvete ka qenë shumë traumatike, por gjëja e duhur për të thënë është që ka folur PS-ja për këtë çështje dhe pozicioni i kryeministrit Rama ka qenë i qartë dhe konsistent për këtë çështje. Një ndër arsyet përse nuk fola kur u arrestua është sepse Erionin e kam mik të ngushtë dhe çdo fjalë e imja do ishte objektive dhe e anshme.
Roland Qafoku: E keni vizuar në qeli?
Arbjan Mazniku: Jo nuk na lejohet ta vizitojmë. Lejohen vetëm familjarët, është e shkruar në ligj. Por kam takuar zonjën Xoxa dhe vëllanë e Veliajt.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash ‘OJF’.
Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën “arrest me burg”, ndërsa Xoxa në “detyrim paraqitje”, ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje.”