Një ngjarje e rëndë u raportua pesë ditë më parë (7 qershor) në zonën e “Qytet Studenti” në Tiranë, ku një 30-vjeçar është hedhur nga një lartësi dhe për pasojë ka ndërruar jetë në spital. Por teksa kanë kaluar pesë ditë që nga ngjarja tragjike, i riu ende nuk është identifikuar.
“Më datë 07.06.2025, në “Qytet Studenti”, dyshohet se një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 30 vjeç, është vetëhedhur nga lartësia dhe si pasojë ka ndërruar jetë në spital”,njoftoi Policia.
Studentët ishin të parët që e panë viktimën pranë godinave të tyre, dhe njoftuan menjëherë Policinë, e cila deri më sot nuk ka sjellë një njoftim për identifikimin e viktimës që nuk kishte asnjë dokument me vete. Trupi i pajetë u mor nga ambulanca dhe është dërguar në morgun e Tiranës.
JOQ shkruan se trupi i djalit tashmë ka nisur të dekompozohet, pasi askush nuk e ka prekur me dorë. Pamjet shqetësuese nuk janë publikuar, por raportohet se trupi i viktimës është me shenja myku e qelbëzim në masë të madhe. Në lidhje me rastin ende nuk ka një njoftim zyrtar për identifikimin e 30-vjeçarit nga autoritetet dhe as nga morgu.